
Në 24 vjetorin e bombardimeve, Osmani nderon të rënët që shërbyen në NATO e KFOR
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, ka bërë homazhe në nderim të burrave dhe grave që kanë shërbyer në partneritet më NATO -n dhe KFOR-in.
Osmani ka përkujtuar sakrificën e tyre.
Bashkë me presidenten e vendit, të pranishëm kanë qenë edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara Jeffrey Hovenier.
24 vjet më parë, më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së Jugosllavisë.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës.
Në përkujtim të kësaj ngjarje, sot në Kosovë do të organizohen disa aktivitete.
Në Gllogjan të Deçanit do të shënohet manifestimi qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s.
Në Gllogjan për homazhe dhe vizitë te familja Haradinaj do të shkojë edhe kryeministri Kurti me kabinetin e tij.