Ilustrim: Paris, Foto: KALLXO.com

Ndihma mjekësore, Franca dërgon mbajtësin e dytë të helikopterëve në vijën bregdetare të Gazës

Franca do të dërgojë një mbajtës të helikopterëve për herë të dytë në brigjet e Gazës, përderisa po punon me autoritetet izraelite dhe egjiptiane për të gjetur një mënyrë për të ofruar ndihmë mjekësore për njerëzit e prekur nga bombardimet në zonën e rrethuar.

Parisi ka dërguar tashmë transportuesin Tonnerre në Mesdheun lindor në atë që presidenti Emmanuel Macron e përshkroi si një mision për të mbështetur spitalet e Gazës. Egjipti këtë javë filloi të pranojë një numër të kufizuar të plagosurish në kufirin e tij me Gazën.

Megjithatë, është e paqartë se çfarë saktësisht do të bëjnë anijet në rajon pasi ato janë shumë të vogla për të punuar si spitale në terren për numrin e të plagosurve që vijnë nga Gaza.

Duke folur për radion France Info, ministri i Mbrojtjes Sebastien Lecornu tha se helikopter-mbajtësi Dixmude gjithashtu do të nisej për në rajon.

“Ajo është duke u pajisur për t’u shndërruar në një anije spitalore” – tha Lecornu.

Një burim ushtarak francez tha se Tonnerre, i cili ka rreth 60 shtretër dhe dy blloqe operative, mund të përdoret vetëm përkohësisht dhe si mbështetje për një spital më të madh në tokë.

Kur u pyet se sa praktike do të ishte sjellja e njerëzve nga toka në det, Lecornu tha se gjërat ishin ende në fazat e planifikimit dhe diskutimet ishin në vazhdim me autoritetet egjiptiane dhe izraelite.

“Ideja është t’u themi të gjithë aktorëve në këtë konflikt se ne nuk mund t’a lëmë popullsinë civile të ekspozuar ndaj rrezikut dhe, mbi të gjitha, pa një zgjidhje të kujdesit shëndetësor në nivel humanitar” – tha Lecornu.

Ai tha se shpresonte që vendimi i Francës për të dërguar anije do të inkurajonte të tjerët ta bënin të njejtën, duke krijuar masë kritike./Reuters