Ndalimi i 'Mirëdita, Dobar dan' në Serbi, reagon MPJD

Pas ndalimit të festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Serbi ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovës.

Nga kjo ministri është thënë se ky veprim është dëshmi e regjimit të kaluar.

“Ndalimi i festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Serbi me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar” – thuhet në reagim.

Tutje është thënë se këtë fushatë të egër publikisht e nisi sipas MPJD njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, Aleksandar Vulin, të cilit Ministria tha se pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq.

“Kjo dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Vuçiq funksionon, dhe se ky regjim është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit” – vazhdohet tutje në reagim.

Gjithashtu u tha se ky vendim i qeverisë serbe vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

“MPJD i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur 10 herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon” – theksohet tutje.

Po ashtu u shtua se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe tha se publiku do të njoftohet në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.

Koka e prerë e një kafshe i dërgohet drejtoreshës së njërës nga organizatat që organizoi ‘Mirëdita, Dobar Dan’ në Serbi