Foto: LDK

Mustafa në Ditën e Evropës: BE duhet t'i largojë vizat për Kosovën

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, 9 majit ka thënë se kjo  shënonnjë ndër momentet më të rëndësishme të vendosjes së paqes në Evropën e trazuar nga luftrat ndër shekuj.

“Më 9 Maj 1950, Robert Schumann vendosi themelet e bashkëpunimit ndërshtetëror, fillimisht si projekt ekonomik për tu shndërruar më vonë në nivelin e bashkëpunimit politik, kulturor, shoqëror dhe fusha tjera”, ka thënë Mustafa.

“BE-ja është storie e suksesit që i dha Evropës jo vetëm një paqe afatgjate por edhe një prosperim dhe mirëqenie ekonomike shteteve antëtare”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Kosova i është mirënjohëse BE-së për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë shtetit në proceset shtetformuese.

“Kjo u rezultua edhe në kohën kur ne e nënshkruam MSA-në që deri më tani është kontrata dhe bashkëpunimi në nivelin më të lartë me BE-në. Rruga evropiane e Kosovës është shumë e qartë, ajo synon anëtarësimin në familjen e madhe evropiane”, ka thënë më tej kreu i LDK-së.

Mustafa në këtë ditë po ashtu i ka bërë thirrje BE-së që t’i largojë vizat për qytetarët e Kosovës.

“Aktualisht Kosova është i vetmi vend pa liberalizim të vizave dhe ne shprehim bindjen që BE-ja sa më shpejt ta marrë një vendim pozitiv që kosovarët të mos mbesim të vetmit të diskriminuar jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në tërë Evropën. Qytetarët dhe të rinjtë tonë besojnë dhe ndajnë të njejtat vlera të cilat Bashkimi Evropian i ka kultivuar për tërë këto vite”, ka thënë Mustafa.

Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen ose siç njihet si liberalizmi i vizave, në diskursin e politikës brenda dhe jashtë vendit, ka nisur që nga viti 2010.