Murati thotë se Ministrinë e gjeti në situatë kaotike me shumë borxhe të trashëguara

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka prezantuar punën e Ministrisë gjatë vitit 2021 në një konferencë për media.

Murati është shprehur se kur ka ardhur në krye të Ministrisë, situata ishte kaotike dhe me shumë borxhe të trashëguara.

“MFPT ishte në një situatë kaotike me shumë borxhe të trashëguara dhe kontrata të dëmshme. Për të dal nga kjo situatë, është dashur që së pari të bëhet skanimi i gjendjes, të identifikohen shkeljet dhe më pas këto shkelje të përcillen tek organet e rendit”, ka thënë Murati.

Po ashtu gjatë konferencës ministri ka folur për sfidat kryesore me të cilat po përballet Qeveria e Republikës së Kosovës.

Por pavarësisht të gjitha sfidave, Murati është shprehur se vendi ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike.

“Pavarësisht të gjitha sfidave, gjatë këtij viti vendi ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike, e cila deri në fund të vitit pritet të ketë rritje reale prej 10%. Kjo rritje ekonomike reflektohet edhe me rritjen e qarkullimit të bizneseve e ku në krahasim me vitin 2020 është 33%, ndërsa në krahasim me vitin 2019 është 23%”, është shprehur ministri gjatë konferencës.

Sipas ministrit, po ashtu pos rritjes ekonomike në vendin tonë ka pasur edhe rritje të vendeve të punës.

“Rritja ekonomike gjithashtu ka ndikuar edhe në hapjen e vendeve të reja të punës ku në krahasim me periudhën shtator 2020 janë krijuar mbi 24 mijë vende të reja pune, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019 kemi rritje prej afro 45 mijë vende pune”.

Në fund të konferencës ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka treguar për sfidat që e presin Ministrinë në vitin 2022.

“Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve e presin shumë sfida, siç janë reforma e sistemit social e pensional, si dhe zbatimi i projekteve të shumta zhvillimore të cilat drejtpërdrejtë përkojnë me Planin Qeverisës 2021-2024”, ka thënë në fund të konferencën Murati.