Arrestohet personi i 12-të, i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares

Është arrestuar edhe një person në lidhje me rastin e dhunimit të vajzës 11- vjeçare në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, personi është i moshës madhore dhe dyshohet për dhunimin e të miturës, në muajin qershor.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11-vjeçares, në qershor të vitit 2022”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gjithashtu Prokuroria ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente.

Në lidhje me këtë rast, aktualisht në paraburgim gjenden 11 persona për dy raste të ndara.

Për arrestimin e të dyshuarit të 12-të në rastin e 11-vjeçares njoftoi edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

“Lidhur me rastin, gjatë hetimeve të zhvilluara është identifikuar një i dyshuar mashkull kosovar i cili është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.