BIRN dhe I/KS kërkojnë hetimin e zinxhirit institucional në rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova, i kanë kërkuar u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi që ta delegojë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kryeprokuror i së cilës është Blerim Isufaj, hetimin mbi mënyrën e trajtimit të rastit të 11-vjeçares e cila u raportua si viktimë e dhunimit seksual.

Kërkesa e BIRN dhe I/KS vjen pasi në redaksinë e KALLXO.com janë paraqitur informacione se qysh herën e parë kur ishte marrë në pyetje, e mitura  kishte dhënë emrat e tre personave që dyshohet se e kishin dhunuar.

Ndonëse këta tre emra ishin dhënë nga e mitura 11-vjeçare, informacionet e dërguara në KALLXO.com tregojnë se të njëjtit nuk ishin arrestuar.

BIRN dhe IKS në shkresën drejtuar Kryeprokurorit theksojnë se është e domosdoshme që në këtë rast të hetohet i gjithë zinxhiri institucional për mosndërmarrjen e veprimeve, duke filluar nga zyrtarët policorë, punëtori social, mbrojtësi i viktimave dhe prokurori i shtetit.

BIRN dhe IKS përmendin edhe konferencën e Prokurorisë së Prishtinës si arsye për dërgimin e lëndës në Prokurorinë Speciale.

“Duke e pasur parasysh faktin se në fillim të kësaj jave Prokuroria e Prishtinës në konferencën e organizuar për media ka dhënë informata se çdo gjë është trajtuar me kohë dhe sipas ligjit, dhe nuk e ka përmendur faktin se viktima i kishte dhënë emrat e tre të dyshuarve, konsiderojmë se një veprim i tillë është bërë me qëllim të eliminimit të dyshimeve mbi organet ndjekëse”- thuhet në shkresë.

Përmes kësaj shkrese BIRN dhe IKS i kërkojnë Kryeprokurorit të Shtetit që të analizohet me kujdes e gjithë dosja penale e trajtimit të rastit nga secili akter institucional, të analizohet deklarata e të miturës në Prokurori dhe të vlerësohet pse nuk janë arrestuar tre personat të cilët i ka paraqitur para organeve e mitura.

Sipas BIRN dhe IKS e vetmja mënyrë që të largohen dyshimet mbi organet e drejtësisë është delegimi i rastit nga Prokuroria e Prishtinës në Prokurorinë Speciale, pasi hetimi nga Prokuroria e Prishtinës e ka humbur arsyen.

“Për qëllim të eliminimit të çfarëdo dyshimi dhe ngritjes së besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe organin e prokurorisë, kërkojmë nga ju që mbi bazën e kompetencave që u janë dhënë me Ligjin për prokurorin e shtetit ta merrni çështjen në fjalë dhe të njëjtën ta dërgoni për hetim të mëtejmë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”- thuhet në shkresën e BIRN dhe IKS drejtuar Kryeprokurorit Kelmendi.

11 persona janë arrestuar brenda dy javëve në lidhje me dhunimin e të miturës 11-vjeçare nga Prishtina.

Pesë të parët u arrestuan lidhur me dyshimet se kishin dhunuar të miturën në gusht të këtij viti, ndërsa gjashtë të tjerë u arrestuan në fillim të muajit shtator mbi dyshimet për trafikimin dhe dhunimin e 11-vjeçares.

Rasti i parë për të cilin u arrestuan gjashtë persona dyshohet se ishte kryer më datën 21 qershor të këtij viti.

Atë ditë sipas dosjes hetimore e mitura ishte dhunuar nga mëngjesi deri në mbrëmje. Diku rreth orës 8 të mëngjesit e mitura 11-vjeçare dyshohet se ishte dhunuar nga D.Rr., 23-vjeçar.

Më pas siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë, D.R., e kishte vënë viktimën në kontakt me dy persona të tjerë B.S., 26-vjeçar dhe G.S., 25-vjeçar. Të dy këta persona dyshohet për shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Gjatë asaj dite viktima dyshohet se ishte dhunuar në motel edhe nga F.S., 22-vjeçar dhe M.S., 21-vjeçar.

E pikërisht pas këtij rasti, e mitura 11-vjeçare ishte dëgjuar nga prokurori i shtetit në praninë e punëtorit social dhe sipas informacioneve akoma të pakonfirmuara të cilat kanë ardhur në KALLXO.com, e njëjta i kishte dhënë emrat e tre personave të dyshuar.

Ndonëse e njëjta ishte dëgjuar, arrestimet kishin ndodhur më shumë se dy muaj më vonë, pra në fillim të muajit shtator.

Pas rastit të parë, e mitura 11-vjeçare dyshohet se kishte qenë sërish viktimë e trafikimit në fund të muajit gusht.

Në lidhje me këtë rast u arrestuan pesë persona të cilët dyshohen për veprën penale të dhunimit.

Sipas dosjes hetimore dhunimi kishte ndodhur në një nga parqet e kryeqytetit, pasi tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit përshkruhet se kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ,ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Dy të dyshuarve për këtë rast i është caktuar paraburgimi, ndërsa dy të tjerë kanë dalë para gjykatës, ndërsa po pritet vendimi i gjykatës.

https://kallxo.com/lajm/27-vjecari-i-dyshuar-per-dhunimin-e-11-vjecares-ka-9-aktakuza-per-raste-te-ndryshme/