
Munguan dy të akuzuar, s'mbahet seanca për vrasje të rëndë në tentativë ndaj pesë policëve
Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar më 19.03.2025 në Gjykatën e Prishtinës ndaj të akuzuarve, Mentor Osmani, Behar Krasniqi dhe Irfan Zeneli, të cilët akuzohen për vrasje të rëndë në tentativë ndaj pesë policëve.
Seanca nuk u mbajt pasi munguan dy të akuzuarit në këtë rast, Mentor Osmani dhe Irfan Zeneli.
“Seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta shtyhet për datë të pacaktuar, derisa të sigurohet prania e të akuzuarve Osmani dhe Zeneli në procedurë penale, për të cilët Gjykata do të lëshojë Urdhërarrest.” – tha gjyqtari Naser Foniqi.
I pranishëm në seancë për dallim nga këta dy të tjerët ishte i akuzuari Behar Krasniqi.
Ndërsa, nga Prokuroria prezente ishte prokurorja Luljeta Bilalli.
Kjo çështje penale po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda, me gjyqtar Naser Foniqi.
Dosja e Prokurorisë
Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 08.12.2015, rreth orës 07:20, në fshatin Makovc të Prishtinës, derisa të dëmtuarit pjesëtarë të Policisë së Kosovës Togu II rezervë të Stacionit policor të veriut në Prishtinë, togeri Sylejman Sylejmani dhe policët, Nexhat Hasani, Vullnet Krasniqi, Millan Stakiq dhe Egzon Abazi, ishin në kryerje të detyrës zyrtare, në ndjekje të dyshuarve: Mentor Osmani, Behar Krasniqi dhe Irfan Zeneli.
Në Aktakuzë thuhet se për një moment i pandehuri Irfan Zeneli me dashje kishte tentuar t’i privojë nga jeta zyrtarët e lartë policorë, në atë mënyrë që me revole kishte shtënë në drejtim të zyrtarëve të lartcekur, të cilin armë i dyshuari Irfan Zeneli e kishte mbajtur pa lejen e organeve kompetente.
Gjithashtu edhe të akuzuarit Mentor Osmani dhe Behar Krasniqi thuhet se kishin shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë, me dashje që t’i privojnë nga jeta dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Sipas Aktakuzës, me këtë të akuzuarit, Mentor Osmani, Behar Krasniqi dhe Irfan Zeneli, në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Ndërsa, i akuzuari Irfan Zeneli po akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.