
Punonjësit e Prokurorisë së Prishtinës dolën në protestë për shkak të mungesës së ajrit në objekt, në Pallatin e Drejtësisë, Foto: KALLXO.com
Mungesa e ajrit në objekt, protestojnë punonjësit e Prokurorisë së Prishtinës
Punonjësit e Prokurorisë së Prishtinës dolën në protestë për shkak të mungesës së ajrit në objekt, në Pallatin e Drejtësisë.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
“E konfirmova që është në shenjë proteste lidhur me çështjen e ajrosjes në objekt, me problemin që e kemi deri në implementimin e vendimit që është marrë nga ana e këshillit”- tha Ulaj.
Kujtojmë që Këshilli Prokurorial ditën e premte, përmes një komunikate njoftoi që ka marrë vendim për reduktim esencial të aktiviteteve në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore.
“Ky reduktim në këto dy prokurori vjen si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive” – thuhet në njoftimin e KPK-së.
Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, thotë KPK-ja, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativ për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore.
Punëtorët në Pallatin e Drejtësisë vazhdimisht janë ankuar për probleme shëndetësore për shkak të mungesës së oksigjenit në objekt.
Me probleme shëndetësore që dyshohet se erdhën nga mungesa e oksigjenit u përball edhe kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi.