Foto: MPJD

MPJD i përgjigjet pretendimeve të ish-diplomatit Amir Haziri për ‘thyerjen’ e derës së zyrës së tij

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i është përgjigjur pretendimeve të ish-diplomatit Amir Haziri se askush nga ministria nuk e ka kontaktuar për ta hapur zyrën, përpara se të hyjnë me forcë në të.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga zyra për media e MPJD-së, kanë thënë se ish-diplomati Haziri është kontaktuar paraprakisht, por me qenë se i njëjti nuk është përgjigjur, janë ‘detyruar’ të marrin një veprim të tillë.

“MPJD e ka ftuar z.Haziri për ta liruar zyrën, por ai nuk iu është përgjigjur kësaj thirrje. Duke qenë së zyret janë hapësira pune të institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe jo prona private të individëve, dhe duke marrë parasysh nevojën e hapësirave të punës brenda MPJD-së, ne kemi ftuar zyrtarët përgjegjës nga DMOQ/MPB, për hapjen e zyrës, me qëllim që të njëjtën ta shfrytëzojnë zyrtarët e Ministrisë që janë në punë” – thuhet në përgjigje.

Tutje sipas MPJD-së “për hapjen e derës është respektuar e gjithë procedura ligjore dhe është mbajtur edhe një procesverbal nga komisioni”.

Ish-diplomati Haziri kishte ‘akuzuar’ MPJD-në se nuk e kanë lejuar t`i marrë gjërat personale që i ka pasur në zyre.

Mirëpo në përgjigjen e MPDJ-së për KALLXO.com, thuhet e kundërta.

“Pretendimet se z.Haziri, nuk është lejuar t’i marrë gjërat e tij, nuk qëndron ngase ai është ftuar t’i tërheqë gjërat e tij personale përderisa është ftuar të liroj këtë zyrë” – thuhet në përgjigje.

MPJD ka konfirmuar se Amir Haziri është larguar nga puna në kohën kur ka qenë në pushim pa pagesë, dhe vendimi për largim është marrë disa ditë pasi që i ishte thyer dera e zyrës së tij.

“Amir Haziri ka qenë në pushim pa pagesë në periudhën 1 vjeçare, nga data 15.11.2021 deri më 09.09.2022. I njëjti nuk është më pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga data 31.08.2022, pas vendimit të ministres Gërvalla, lidhur me shfuqizimin e vendimit për emërimin e tij si anëtar të shërbimit të Jashtëm” – thuhet në përgjigjet MPJD-së.

Ish-diplomati i Kosovës në Kroaci, Amir Haziri, kishte reaguar ndaj deklaratës së ministres së Punës së Jashtme dhe të Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, e cila në emisionin #KallxoPernime ka thënë se nuk ka pasur thyerje të derës së zyrës së Hazirit por vetëm hyrje në zyrë.

Haziri në reagimin e tij të përcjellë në redaksinë e KALLXO.com ka pretenduar se nuk është kontaktuar nga MPJD për ta liruar zyrën.

“Ministre, sa herë më kanë kontaktuar dikush nga vartësit tuaj në MPJD (përmes emalit apo telefonit) që të vij e ta liroj zyrën, sepse ju paska dashtë hapësira në këtë kohë kur një muaj para se të kthehem unë në vendin e punës” – ka pyetur ai.

Po ashtu në këtë reagim Haziri ka thënë se ai nuk ka mundur që nga zyra t’i marrë as gjësendet personale.

“Ministre, mbrëmë keni thënë që ju është dashtë zyra, por që sa muaj ende po më mbani gjësendet private që kam pas në zyrë dhe nuk m`i keni kthyer. Ministre edhe fotografitë e familjes” – ka thënë ai.

Hyrjen me forcë në zyrën e ish-diplomatit Haziri e kishte arsyetuar kryediplomatja Donika Gërvalla duke thënë se “ne na duhen zyret që nuk janë pronë private e zyrtarit”.

“Nuk ka pasur thyerje të zyrave në Ministrinë e Jashtme. Ka pasur një rast të vetëm kur një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka shkuar në pushim disamujor pa pagesë, zyrën e tij e ka lënë të mbyllur, nuk ia ka dorëzuar kolegut dhe ne na duhen zyrat që nuk janë pronë private e zyrtarit. Zyrat janë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe duhen shfrytëzuar” – ka thënë ajo në intervistë.

Ish-diplomati Amir Haziri i reagon ministres Gërvalla për ‘thyerjen’ e derës së zyrës së tij