Ish-diplomati Amir Haziri i reagon ministres Gërvalla për ‘thyerjen’ e derës së zyrës së tij

Ish-diplomati i Kosovës në Kroaci, Amir Haziri, ka reaguar ndaj pretendimeve publike të ministres së Punës së Jashtme dhe të Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, e cila në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se nuk ka pasur thyerje të derës së zyrës së Hazirit por vetëm hyrje në zyrë.

Këtë veprim Gërvalla e ka arsyetuar duke thënë se “ne na duhen zyrat që nuk janë pronë private e zyrtarit”.

“Nuk ka pasur thyerje të zyrave në Ministrinë e Jashtme. Ka pasur një rast të vetëm kur një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka shkuar në pushim disamujor pa pagesë, zyrën e tij e ka lënë të mbyllur, nuk ia ka dorëzuar kolegut dhe ne na duhen zyrat që nuk janë pronë private e zyrtarit. Zyrat janë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe duhen shfrytëzuar” – ka thënë ajo.

Haziri përmes një reagimi të dërguar në KALLXO.com ka dhënë versionin e tij pë rastin.

Sipas tij, ai ka qenë në pushim kur edhe është njoftuar nga kolegët e tij se sekretari i Ministrisë, Behar Isma, së bashku me drejtorin e Administratës, Ragip Zejnullahu, kanë hyrë me forcë në zyrën e tij.

“Me datën 28 korrik jam njoftuar nga një koleg i MPJD që më është thyer zyra, menjëherë pas këtij informimi kam shkuar në MPJD, pasi që nga kjo ministri jam larg vetëm 10 minuta, me të arritur kam insistuar ta takoj drejtorin tim, të administratës dhe Sekretarin për të kërkuar sqarim. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur” – ka thënë Haziri.

Haziri në reagimin e tij ka pyetur kryediplomaten Gërvalla se si është e mundur që për derën e zyrës së tij ekziston vetëm një çelës, pasi që sipas tij brava është ndërruar nga administrata dhe jo ai privatisht.

Po ashtu në këtë reagim, ish-diplomati Haziri pretendon se nuk është thirrur asnjëherë nga askush nga MPJD për ta hapur zyrën.

“Ministre, sa herë më kanë kontaktuar dikush nga vartësit tuaj në MPJD (përmes emalit apo telefonit) që të vij e ta liroj zyrën, sepse ju paska dashtë hapësira në këtë kohë kur një muaj para se të kthehem unë në vendin e punës” – ka pyetur ai.

Po ashtu në këtë reagim Haziri ka thënë se ai nuk ka mundur që nga zyra t’i marrë as gjësendet personale.

“Ministre, mbrëmë keni thënë që ju është dashtë zyra, por që sa muaj ende po më mbani gjësendet private që kam pas në zyrë dhe nuk mi keni kthyer. Ministre edhe fotografitë e familjes” – ka thënë ai.

E pyetur për këtë çështje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se nuk ka pasur thyerje.

“Aty nuk ka pasur asnjë thyerje. Aty është hapur dera, komisioni ka bërë regjistrimin në mënyrë të ndërgjegjshme që kanë qenë. Përkundrazi, shkelja është si mund të shkojë me muaj të tërë pa pagesë dhe të mos ta ndjejë as të nevojshme që të kryej punën e tij dhe të dorëzojë…”, ka theksuar tutje Gërvalla.

E pyetur nëse ka proces disiplinor për zyrtarin, Gërvalla tha se “ai është në pushim pa pagesë kur të kthehet nga pushimi do të shohim si do të shkojë çështja”.

Për të gjitha pretendimet e Hazirit, KALLXO.com i ka dërguar pyetje zyrës për komunikim të MPJD-së si dhe sekretarit Behar Isma dhe drejtorit të Administratës, Ragip Zejnullahu, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.

Kur i ishte hapur dera, Haziri kishte qenë në pushim pa pagesë prej gjashtë muajve, duke filluar nga data 1 mars e këtij viti deri më 1 shtator të këtij viti.

Vendimi për largimin e tij nga MPJD është marrë më 31 gusht të këtij viti, pra gjatë kohës sa Haziri ka qenë në pushim.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, ministrja Gërvalla kishte konstatuar se emërimi i Hazirit ishte bërë në kundërshtim me ligjin.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Haziri kishte aplikuar për anëtar të personelit diplomatik në konkursin e datës 22 korrik 2011, mirëpo ky konkurs nuk ka pasur shpallje të rezultateve përfundimtare, dhe rrjedhimisht nuk ishin shpallur as kandidatët e pranuar.

Mirëpo pavarësisht kësaj, me vendim të ministrit, Haziri në korrik të vitit 2013 kishte filluar punën në shërbimin e jashtëm.

“Procedura e ndjekur për emërimin të Z. Haziri si anëtar i Shërbimit të Jashtëm del të jetë në kundërshtim me nenin 20 të Ligjit Nr. 03/L-112 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, i cili përcakton se “Pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkursit të hapur në pajtim me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe legjislacionin në fuqi” – thuhet në arsyetim.

Rrugëtimin e tij, Haziri e ka filluar në vitin 2013 si sekretar i parë për të shërbyer në misionin e Republikës së Kosovës në Serbi, ndërsa misioni i fundit ku ka shërbyer si këshilltar ka qenë në Zagreb të Kroacisë.

Reagimi i plotë i Amir Hazirit:

Me datën 28 korrik jam njoftuar nga një koleg i MPJD që më është thyer zyra, menjëherë pas këtij informimi kam shkuar në MPJD, pasi që nga kjo ministri jam larg vetëm 10 minuta, me të arritur në kam insistuar ta takoj drejtorin tim, të administratës dhe Sekretarin për të kërkuar sqarim. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur!

Unë po atë ditë i jam drejtuar Policisë për të kërkuar ndihmë se çka ka ndodhë, por edhe nga policia e prokuroria ende s’kam pas ndonjë reagim.

Ministre gjatë intervistës theksuat se “zyra nuk është pronë private e zyrtarit! Zyrtari nuk e ka lënë një kopje të çelësit!. Poashtu deklaruat se me mua do të merret me mua komisioni disiplinor sa po të kthehem nga pushimi!!!

Ministre, për derisa deklaroni që zyra në MPJD është pronë e ministrisë e nuk është e zyrtarit, po iu parashtroj pyetje publike:

1. Si është e mundur ju si institucion mos ta keni çelësin kopje (ku sipas rregullave gjithmonë ekziston në administrata kopja e çelësave të zyrës), sepse atë çelës dhe bravë e ka ndërruar administrata e jo unë privatisht?!

2. Ministre, sa herë më kanë kontaktuar dikush nga vartësit tuaj në MPJD ( përmes emalit apo telefonit) që të vij e ta liroj zyrën, sepse ju paska dashtë hapësira në këtë kohë kur një muaj para se të kthehem unë në vendin e punës?

3. Ministre, a jeni në dijeni që me 1 shtator 2022 jam paraqit në vendin e punës ashtu siç e kam pas pushimin e aprovuar nga ud.sekretarit deri me këtë datë, dhe rresht çdo ditë jam përpjekur ta takoj sekretarin për procedura të mëtutjeshme dhe një gjë e tillë ka qenë e pamundur deri më 14 shtator ku në korridoret e MPJD kam kuptuar që ju më keni leshu një vendim dhe më keni përndjek nga Ministria qysh me datën 31 gusht 2022!

4. Ministre, për çfarë komisioni disiplinor folët mbrëmë kur mua më keni larguar kundërligjshëm ? Mua dhe shumë kolegë të nderuar të tjerë!

5. Ministre, pse po e gënjeni opinionin që keni krijuar komision për hapjen e zyrës?! E dini mirë që për me hap një zyrë me çelës rezervë është një protokoll dhe procedurë, por në atë rast s’mundët të realizoni objektivat tuaja…por keni hy direkt me vandalizëm duke urdhëruar ju, e realizuar Sekretari Behar Isma me drejtorin e Administratës Ragip Zejnullahu!

6. Ministre, keni dashtë edhe kompjuterin zyrtar pa u shkarkuar ti fshini të dhënat, ku ende edhe sot nuk jam i shkarkuar nga ai kompjuter!

7. Ministre, mbrëmë keni thënë që ju është dashtë zyra, por që sa muaj ende po më mbani gjësendet private që kam pas në zyrë dhe nuk mi keni kthyer. Ministre edhe fotografitë e familjes!

8. Ministre, unë nuk jam kriminel, që nga 2005 kam qenë nëpër institucione dhe kam dhënë kontributin tim sa do të vogël për këtë vend! Prandaj, përmes kësaj letër publike iu bëj thirrje organeve kompetente ta trajtojnë rastin dhe të zbardhet e vërteta e njëkohësisht të ndalet kjo përndjekje e ndyrë që po e bëni ju Ministre ndaj meje dhe kolegëve!