FOTO: Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme

MPB: Janë hapur të gjitha rrugët, janë të qarkullueshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një njoftim në lidhje me vërshimet që nisën që nga orët e para të së enjtes e që kanë lënë pasoja të shumta në qytete të ndryshme të Kosovës.

Kjo ministri ka thënë se Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka ngritur nivelin e angazhimit dhe ka vijuar me koordinimin e të gjitha institucioneve në përballimin më të lehtë të kësaj situate e po ashtu ka bërë të ditur se Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve në bashkëveprim me Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë arritur të evakuojnë familje që kanë qenë të bllokuar apo në rrezik potencial.

FOTO: Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme
FOTO: Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme

“Përveç situatës me vërshime, në disa zona mbrëmë ka pasur edhe rrëshqitje të dheut dhe bllokim të qarkullimit në disa rrugë nacionale por pas koordinimit dhe angazhimit ndër-institucional, në orët e para të mëngjesit janë hapur të gjitha rrugët dhe tanimë të gjitha janë të qarkullueshme” – thuhet në njoftimin e MPB-së.

Në këtë njoftim është potencuar se me kërkesë të Komunës së Mitrovicës, Agjencioni i Menaxhimit Emergjent ka dërguar ekipin e pompimit me kapacitet të lartë për intervenim ndërsa është dërguar edhe një cisternë uji për furnizim me ujë të pijes.

Tutje, është thënë se Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme është duke mbledhur dhe evidentuar të gjitha kërkesat në mënyrë që të aktivizojmë kapacitetet tona për ndërhyrje të menjëhershme me qëllim të parandalimit të çdo përkeqësimi të mëtutjeshëm të situatës.

FOTO: Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme
FOTO: Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme
FOTO: Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut me intenzitet të ndryshur, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për gjendjen nëpër komunat e Kosovës të cilat janë prekur nga vërshimet.

Pasojat nga vërshimet në Kosovë