Moti, Foto: Valon Fana - Maj 2026

Moti sot

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, të premten, më 22.05.2026, do të mbajë mot kryesisht i vranët me intervale me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga lokale shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8 dhe 11°C, ndërsa maksimalet nga 18 deri në 23°C.

“Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6 m/s”- thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Sa i përket situatës agrometeorologjike, reshjet e herëpashershme dhe temperaturat e moderuara, sipas IHMK-së do të krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore pranverore, veçanërisht për kulturat e mbjella së fundmi.

“Lagështia në tokë pritet të mbetet e mjaftueshme për shumicën e kulturave, megjithatë fermerët këshillohen që gjatë ditëve me reshje dhe shkarkime elektrike të shmangin trajtimet me preparate mbrojtëse në parcela”- vazhdon njoftimi për motin që të mbajë gjatë javës.

Cilësia e ajrit përgjithësisht parashihet të jetë e mirë deri mesatare, për shkak të qarkullimit të ajrit dhe erërave të lehta që do të ndikojnë në shpërndarjen e ndotësve atmosferikë.