Molliqaj fotografohet me Haradinajn, i buzëqesh koalicionit me 'partinë e haraçit'

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është deklaruar pas koalicionit të partisë së tij dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai e ka quajtur këtë koalicion si bashkim për ndryshim. Por, vetë Molliqaj në vitin 2013 kishte drejtuar akuza në adresë së partisë së Ramush Haradinajt për harraq dhe fajde. Sipas tij, ‘komunat që udhëhiqen nga AAK-ja në rajonin e Dukagjinit janë një realitet i hidhur’.

Në një postim në “Facebook”, Molliqaj ka përmendur edhe taksën që Haradinaj vendosi ndaj Serbisë e Bosnjës si dhe ndaljen e idesë së Presidentit Thaçi për ndryshim kufijsh.

“Ata që vet u hapën për bashkëpunime me PDK-në, kishin vetëm FJALË kundër PDK-së e Hashim Thaçit. Ne të tjerët, e ndalëm PDK-në dhe planet e Thaçit.
Ata që na shajtën plot mllef, kishin vetëm FJALË kundër Serbisë. Ne të tjerët që sot po bashkohemi, e ndalëm Serbinë. Lista SRPSKA u defaktorizua. Nuk ka Zajednicë. Nuk ka shkëmbim. Ka TAKSË 100%”, deklaroi Molliqaj.

Ai ka thënë se partia e Shpend Ahmetit kontribuoi edhe në Ushtrinë e Kosovës.
“Ata FOLËN bukur se si do të dukej Kosova sovrane. Por ne që sot po bashkohemi, e bëmë Ushtrinë e Kosovës – që sa për ta, do të mbetej veç një ëndërr e bukur”, thotë ish-  sekretari i Lëvizjes vetëvendosje.

Ai ka thumbuar ish-partinë e tij, për të cilën tha se u angazhuan të ndjekin lepuj nëpër rrugëve të kryeqytetit, duke ju referuar protestave të LVV-së kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezit.
“Përderisa ata me inatin e tyre u morën dy vite vetëm me ne dhe ndiqnin lepuj rrugëve të Prishtinës, ne shtynim përpara politika që përmirësojnë direkt jetën e qytetarëve. Shkarkuam Rikallon. Ngritëm pagën minimale. E ndaluam dialogun e Thaçit për territorin e Kosovës. Filluam reformën për pensione”, tha ai.

“Për këto ideale u angazhova në politikë, dhe këtyre idealeve do t’iu qëndroj besnik”, thuhet tutje në postimin e Molliqajt.

Tutje, ai tha se PSD beson ende në disa gjëra që kanë besuar edhe në të kaluarën.
“Ne besojmë në të njëjtat gjëra që kishim besuar gjithmonë: Kosovën sovrane, me ushtri dhe krenare përballë Serbisë; Kosovën pa PDK-në në pushtet, pa krim e korrupsion, me barazi sociale e zhvillim ekonomik. Ata nuk besojnë më në koncepte. Besojnë vetëm në një njeri. Një njëri që ka mbetur i vetëm, i rrethuar nga komandantë të PDK-së në njërën anë, e enveristë të PDK-së në anën tjetër”, thotë Molliqaj.

Ndërsa, koalicionin e sotëm ndërmjet AAK-së dhe PSD-së, Molliqaj e ka quajtur koalicion të ndryshimit.
“Sot krijuam koalicionin e ndryshimit që fitoren e ka të sigurt. Koalicionin që do të qeveris dhe Kosovën do ta pozicionojë fuqishëm përballë Serbisë, përballë krimit e korrupsionit dhe përballë varfërisë e pabarazisë. Koalicion nëpërmjet të cilit ne do t’i shtyejmë edhe më tej këto politika. Bashkimi ynë i sotëm është veç fillimi i fitorës së madhe”, thuhet në fund të postimit të tij.

Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë arritur koalicion parazgjedhor.