Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com

Miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, reagon presidentja Osmani

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar sot, më 23.05.2024, me 84 vota për propozim-rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.

19 vota ishin kundër e 68 të tjera abstenime.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

E për këtë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Srebrenica do të kujtohet më 11 korrik dhe çdo ditë tjetër.

Ajo tha se me caktimin e sotëm nga AP e OKB-së të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica.

“Njohja është një hap kyç drejt pajtimit dhe luftimit të mohimit të gjenocidit. Është thelbësore për shërimin dhe për paqen e qëndrueshme, duke u ofruar ngushëllim nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të familjeve të mbijetuara, duke siguruar që të dashurit e tyre nuk do të harrohen kurrë” – tha Osmani.

Propozueset zyrtare të kësaj rezolute ishin Gjermania dhe Ruanda.

Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së miratohet rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë