Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Haxhiu për KPK-në: Ende pa nisur proceset dihet se kush do të jetë ku

E pyetur për emërimin e fundit që ndodhi në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ku pozitën e kryeprokurorit e mori Blerim Isufaj, ministrja e Drejtësisë foli për rëndësinë e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ajo tha se një reformë e tillë është e rëndësishme, pasi sipas saj në KPK ende pa nisur ndonjë proces “dihet se kush do të jetë ku.”

“Jeni dëshmitarë edhe të reagimeve të ashpra në raport edhe me mënyrën se si janë zgjedhur anëtarët aktualë të KPK-së, por edhe me vet kandidatin Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit. Pra, për herë të parë në Kosovë ka pas kaq shumë deklarata, madje shumë të ashpra dhe të drejta për bindjen time në raport me proceset në KPK” – tha Haxhiu.

E njëjta tha se disa prej partnerëve të tyre, kanë thënë që ky është sistem i prishur.

“Natyrisht që Kosovë në vazhdimësi ka pas kritika edhe në raporte vendore, por edhe në raporte ndërkombëtare në raport me mënyrën se si funksionon KPK” – tha Haxhiu, teksa shtoi se mendon se vendimet e fundit në KPK tregojnë hapur se sa është e rëndësishme reforma në KPK.

“Kjo nuk është demokratike, kjo është hapur veprim i grupeve të interesit, pazareve brenda këshillit për të marr pozita njerëz të cilët për momentin janë në nivele të larta, për t’i mbajtur ato pozita edhe më gjatë” – tha e para e MD-së.

Ajo tutje shtoi se konsideron që këto janë veprimet e fundit të KPK-së sepse reforma në drejtësi konsideron që është në rrugë të duhur.

“Prandaj mund të duken si më thënë veprimet e fundit të KPK-së ku njerëz në pozita të rëndësishme zgjedhin me pazare, si me thënë me premtime ‘Unë të mbështes ty në këtë pozitë, ti më mbështet mua pastaj për një mandat tjetër’” – shtoi Haxhiu.

Haxhiu: Komisioni i Venecias nuk e rekomandon zgjerimin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial