Klasa mësimore, ilustrim

Ministrja e Arsimit takohet me drejtorët e arsimit për situatën e krijuar nga COVID-19

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka mbajtur një takim virtual me drejtorët e arsimit për situatën e krijuar me pandeminë.

Përmes njoftimit thuhet se ministrja Nagavci ka kërkuar nga DKA-të që të marrin vendime bazuar në gjendjen epidemiologjike në baza ditore.

“Në takimin virtual të zhvilluar sot me drejtorët e DKA-ve, ministrja Nagavci ritheksoi edhe një herë që duhet të bëjmë përpjekje maksimale që shkollat t’i mbajmë të hapura, ndërsa shtoi se, vaksinimi krijon parakushtet për zhvillim të suksesshëm të procesit mësimor”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se Nagavci ka kërkuar që vendimet për kalimin e zhvillimit të procesit mësimor nga një skenar në tjetrin të bëhet duke u bazuar në situatën epidemiologjike në shkolla.

“Ministrja Nagavci po ashtu bëri të ditur se, task-forca në nivel të Ministrisë në takimin e djeshëm ka diskutuar nivelin e rrezikshmërisë për zhvillimin e procesit mësimor me prezencë fizike dhe çështje të tjera me fokus në situatën e krijuar pas shtimit të numrit të infektuarve në mesin e nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla”, thuhet në njoftim.

Në javën e fundit janë rritur në katër shifra rastet pozitive me COVID-19 dhe janë paralajmëruar masa të reja nga ministri i Shëndetësisë.

Po ashtu, disa shkolla nëpër komuna të ndryshme të Kosovës kanë njoftuar se kanë kaluar mësimin në skenarin C apo mësimin online për shkak të infektimit të nxënësve dhe mësimdhënësve.