Avioni i kompanisë "Hainan Airlines" gjatë aterimit në Beograd. Foto: REL

Nis operimi i linjës së rregullt ajrore Pekin-Beograd

Avioni i kompanisë “Hainan Airlines”, ka kryer fluturimin e parë nga Pekini në Beograd, duke ateruar në aeroportin “Nikola Tesla” në mëngjesin e së shtunës.

“Ky është fluturimi i parë direkt nga Kina në Serbi. Tash për tash, do të ketë fluturime një herë në javë dhe nga shtatori dhe tetori do të ketë dy fluturime brenda javës për në Kinë”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili doli në aeroportin e Beogradit “Nikola Tesla” për të mirëpritur avionin e parë të kësaj linje të re ajrore.

Vuçiq shtoi se fluturimi Beograd-Pekin zgjat nëntë orë e gjysmë dhe kjo linjë ajrore do të emërohet “Mihailo Pupin”.

Presidenti serb tha se kjo linjë e kësaj kompanie ajrore kineze do të tërheqë numër më të madh të turistëve dhe biznesmenëve të cilët do të vijnë në Serbi, teksa njoftoi po ashtu se një linjë për në Çikago do të nisë në një të ardhme të afërt.

Në aeroport për të mirëpritur avionin kinez doli edhe ambasadori i Kinës në Serbi, Chen Bo, ministri serb i Financave, Sinisha Mali, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Tomislav Momiroviq dhe drejtori i Air Serbia, Jirzhi Marek.

Avioni kompanisë “Hainan Airlines” do të kryejë fluturime Pekin-Beograd vetëm gjatë të shtunave.

Vuçiq, gjatë pritjes së avionit nga Pekini, tha se Qeveria e ardhshme do të ruajë miqësitë tradicionale serbe” dhe nuk do të jetë anti-ruse.

“Se çfarë lloji i qeverisë do të jetë, besoj se do të jetë një qeveri serbe, e cila do të punojë për anëtarësimin më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian”, u tha Vuçiq gazetarëve në aeroportin “Nikola Tesla”.

Kur u pyet se si po shkojnë konsultimet për formimin e institucioneve të reja, Vuçiq tha se tashmë ka një “shumicë të paqartë” në Kuvendin e Serbisë, por shtoi se do të flasë për konsultimet kur ato të përfundojnë./REL