Ministria e Drejtësisë i dërgon letër Konferencës së Hagës për anëtarësimin e Kosovës

Shqyrtimi i anëtarësimit të Kosovës në Konferencën e Hagës ka shtyrë Ministrinë e Drejtësisë t’i drejtohet me një letër.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letrën Sekretarit Permanent të Konferencës së Hagës, Christophe Bernasconi, në të cilën kërkohet nga Konferenca e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private që të shqyrëtohet anëtarësia e Kosovës.

“Përmes këtij anëtarësimi, por bazuar edhe në përvojën në anëtarësimet në konventat e këtilla, Ministria e Drejtësisë është e bindur se një gjë e tillë, do të mundësonte zbatimin e unifikuar të konventave ndërkombëtare në çështjet  e së drejtës ndërkombëtare private, si dhe do të lehtësonte qasjen në platforma dhe instrumente multilaterale që kanë të bëjnë me këtë fushë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Tutje në njoftim thuhet edhe se për shkak të mos anëtarësimit në Konferencën e Hagës, është vështirësuar zbatimi i së drejtës në çështjet që lidhen me rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijëve, në aspektin civil, si dhe në konteste  familjare dhe trashëgimore për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu Ministria e Drejtësisë ka thënë se do të punojë me përkushtim në integrimin e  Republikës së Kosovës organizata  rajonale dhe ndërkombëtare me qëllim të lehtësimit në realizimin e të drejtave të qytetarëve të saj.