Monedha euro - Foto: REL/AP

Ministri Bislimi: Ka pasur tentativa për mashtrime në masën e 15-të

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në emisionin “Jeta në Kosovë”, ka treguar se në masën e 15-të të pakos emergjente të Qeverisë ka pasur tentativë për mashtrime.

Bislimi tha se kjo masë është më problematikja, pasi sipas tij, ajo është keqinterpretuar.

“Masa 15 është më problematikja për shumë arsye, masa është keqinterpretuar. Masa nuk është për individë të cilët e kanë humbur vendin e punës, është për familja që s’kanë të ardhura. E tash arsye pse ka ardh deri këtu mundet me qenë prej humbjes së vendit të punës, për ta është masa 8”, tha ai.

“Kemi kalkuar që numri i kërkesave mundet me ardhë deri në 15 mijë, çdo tentativë me apliku individë të cilët nuk i plotësojnë këto kritere është keqpërdorim i masave. Në ndërkohë na kanë ardhur 70 mijë aplikacione, që i bjen 1/3 e familjeve në Kosovë s’kanë asnjë të ardhur dhe tregon që ka keqpërdorim jashtëzakonisht të madh”, shtoi ai përballë Jeta Xharrës.

Sipas tij, nga 20 mijë aplikacione të kësaj mase, 14 mijë janë refuzuar.

“Prej 70 mijë aplikacioneve, janë futur në sistem 20 mijë, prej tyre 14 mijë janë refuzuar, pasi që disa prej tyre kanë të ardhura në familje, ose ka vetë të ardhura diku tjetër, ose nuk është regjistruar fare”, tha Bislimi.

Sipas Masës nr.15 të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130) euro për periudhën Prill-Qershor 2020, e kanë familjet të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar (sektorin publik dhe privat), nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga Buxheti i Republikës së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale), aplikanti është i lajmëruar si i papunë në institucionin kompetent dhe është banor rezident në Republikën e Kosovës.

Sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” është duke transmetuar intervistë me ministrin e Financave, Besnik Bislimi si dhe do të zhvillohet debat me shqiptarët e Amerikës, të cilët janë bashkuar dhe mobilizuar në dhjetëra organizata dhe i kanë shkruar letër presidentit Trump, Kongresit e Senatit amerikan, për të ndaluar një marrëveshje potencialisht të dëmshme e të ngutshme mes Kosovës dhe Serbisë.

40:17 –