Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Ministra e Drejtësisë fillon procedurat për dërgimin e postës së shpejtë në Hagë

Ministria e Drejtësisë është zotuar se do t’i përmbushë të gjitha obligimet e përcaktuara me Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara.

MD ka njoftuar se kanë filluar procedurat që personave që gjenden në paraburgim në Hagë ti dërgohen pakot esenciale me postë të shpejtë.

“Duke qenë se ligji i cekur më lartë përcakton ofrimin e asistencën për personat e akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara dhe në pajtim me planin e prokurimit të vitit 2021, Ministria e Drejtësisë, tashmë ka nisur procedurat përkatëse për lidhjen e kontratës për postë të shpejtë, në kuadër të të cilave hynë edhe dërgimi i pakove për personat të cilën gjenden në Qendrën e Paraburgimit në Hagë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se ministria ka autorizuar edhe zyrtarin i për fillimin e procedurës, si dhe janë siguruar mjetet për kontratë kornizë.

“Ministria e Drejtësisë këtë çështje do t’ua konfirmojë familjarëve të personave të akuzuar ditën e hënë ku do të njoftohen në detaje në lidhje me përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve ligjore në lidhje me këtë proces”, thuhet në njoftim.

Dje vajza ish-kryeparlamentarit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla ua ka ndaluar që përmes ministrisë që ajo e drejton t’ua dërgojnë ish-krerëve të UÇK-së në Hagë gjërat esenciale.

Mirëpo në një përgjigje për KALLXO.com nga MPJD kanë bërë të ditur se arsyeja përse nuk janë dërguar pakot me gjëra esenciale për Jakup Krasniqin në Hagë është sepse ka skaduar kontrata me operatorin ekonomik.

Ministria e Punëve të Jashtme: Pakot nuk i janë dërguar Jakup Krasniqit sepse ka skaduar kontrata me operatorin