Meta pas tërmetit: Themelet Kosovë - Shqipëri janë më të forta se kurrë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot ka dekoruar ekipin e FSK-së që mori pjesë në kërkim-shpëtim pas tërmetit që ndodhi të martën e kaluar, me 26 nëntor.

Meta në fjalën e tij lartësoi punën e FSK-së duke thënë se edhe NATO do të ndihej krenare me punën e tyre.

“Kosova duhet të jetë krenare për FSK-në e saj por edhe të Policisë të cilat demonstruan një profesionalizëm tejet të lartë dhe bashkëkohor që do të nderonin edhe vendet më të zhvilluara të botës, jam i sigurt që çdo vend i NATOS do të ishte krenar”, ka thënë Meta.

Meta po ashtu falënderoi çdo qytetar të Kosovës dhe udhëheqësit e saj për ndihmën e ofruar Shqipërisë gjatë tragjedisë.

“Ju shpëtuat shumë jetë, ju ndihmuar shumë të lënduar dhe na u gjenden pranë në momentet më tona më të vështira për këtë jemi thellësisht mirënjohës. Të gjithë qytetarët tanë shprehin mirënjohjen tonë më të thellë e më të përzemërt për ju për këtë solidaritet dhe për këtë ndihmë vëllazëri. Me këtë kurajo të pa shembur ju na dhatë forcë edhe neve të gjithëve”, ka shtuar ai.

Presidenti shqiptar tha se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë të forta dhe të pa tundura pavarësisht tragjedive.

“Marrëdhënia me Kosovën është e fortë dhe e patundur si në kohë të mirë ashtu edhe në momentet më të dramatike. Kosova ka një zemër më bujare ne këtë fatkeqësi edhe njerëzit më të thjeshtë edhe mundësi më të pakta ekonomike, shprehin gatishmërinë të ju ndalin në ndihmë motrave dhe vëllezërve shqiptar”, ka thënë Meta.

“Tërmeti tundi fort mijëra themelet e mijërave ndërtesave në Shqipëri, por është po kaq e vërtetë se themelet e solidaritetit tonë mbarëkombëtar e mbarë shqiptar janë më të forta se kurrë”, tha në fund ai.

Mëngjesin e 26 nëntorit, Shqipëria u përball me një tërmet 6.4 ballësh. Nga ky termet 51 persona humbën jetën, qindra kërkuan ndihmë mjekësore e dhjetëra ndërtesa e objekte u dëmtuan.

Vetëm në ish-kampin e ushtrisë gjermane të KFOR-it në Prizren janë strehuar më shumë se 500 persona pas tërmetit të fuqishëm. Ndihmë dhe strehim janë ofruar edhe nga familje të caktuara në shumë komuna të Kosovës.