Mërgimtari nga Prizreni thotë se i doli toka në shitje pa dijeninë e tij (VIDEO)

Sylejman Xhoxhaj, pronar i një pjese toke në Petrovë të Prizrenit, ka parë tokën e tij në shitje në ditët kur ka ardhur për pushime në Kosovë nga Sllovenia.

Xhoxhaj për KALLXO.com thotë se mbi 40 ari i kanë dalë në shitje nga një person që sipas tij komuna e ka caktuar si pronar të ri të pronës që ai e ka trashëguar nga babai.

“Unë jam me nënshtetësi sllovene. Kur kam ardh këtu ka dalë ara në shitje! Kjo është një pakënaqësi shumë e madhe. Dikush me 10 ari tokë ka ardh e ka marrë tokën që ma ka lan baba e ka qitë në shitje. E kemi thirr në telefon, ku e ki atë arë se po e blejmë na. Kur ka ardh me shit po ma shet arën tonë. Kjo është pakënaqësi shumë e madhe”, ka deklaruar Xhoxhaj.

Edhe Bedri Pulaj, pronar i njërës prej pronave të riparcelizuara thotë se ky vendim është i papranueshëm dhe do ta kundërshtojnë gjithmonë.

“Problematika këtu te ne është se në 2008-ën qeverisja e LDK-së e kanë aprovuar që të bëhen një zonë e industrisë së lehtë si plan rregullues, për industri të lehtë. Kanë marrë vendim që këtu tokat të rregullohen. I është marrë një pronari dhe është qitë në një destinacion tjetër, rrugë kanë marrë se do ta ndreqim me rrymë e kanalizim e që nuk është e vërtetë, nuk ka ndodhë fare. Kanë qitë rërë vetëm me një rrugicë, aty ku nuk kanë pasur kundërshtime. Këtë plan ne fuqimisht e kemi kundërshtuar dhe dy herë jemi ankuar, në Kuvend Komunal dhe në Prishtinë, nuk na kanë kthyer fare”, tha Pulaj.

Pulaj thotë nga komuna u kanë thënë se pronave do t’u hipë vlera dhe se është në të mirë të banorëve ky plan rregullues.

“Me shfuqizu këtë plan, aty ku kërkojnë bashkëfshatarët që me u rregullu ky plan rregullues, le ta rregullojnë! Ne kjo pjesa këtu, fuqimisht e kundërshtojmë këtë. Unë i kam 74 ari që i kam paguar me qesim Progresit, pse s’po e marrin atë tokën e AKP-së e mos me na marrë neve”, tha Pulaj.

Edhe Kapllan Koqinaj është pronar i njërës prej pronave që është riparcelizuar.

Ai thotë që komuna i ka marrë atij pronën në afërsi të rrugës dhe e ka vendosur në një lokacion të ri që as ai vet nuk e di se ku është.

“Kuvendi Komunal e ka bërë një plan urbanistik, ose që nuk është aspak në pëlqim me pronarët dhe kanë dalë me komunikatë kinse qeveritë e kaluara e kanë zbatuar dhe qeverisja e tanishme duhet ta aprovojë. Pronarët nuk kanë qenë në dijeni për këtë plan, vetëm kur kanë ardhë me i marr produktet i kanë parë kunj nëpër kufijtë e pronave. Ne kemi bërë ankesa siç na ka takuar, kemi bërë peticione e ja kemi dërgu Drejtorisë së Urbanizmit”, ka thënë Koqinaj.

“Pronën tonë e kanë s`postuar, nga aty ku e kemi pasur me qasje në rrugë na kanë çu krejt poshtë e që saktësisht nuk e di tash as ku janë”, ka thënë Koqinaj.

Në anën tjetër drejtori i Urbanizmit në komunën e Prizrenit, Beni Kizolli, ka thënë për KALLXO.com se i tërë ky proces është në kuadër të procesit të Hartës Zonale.

Kizolli për KALLXO.com ka thënë po ashtu se ky vendim është marrë në vitin 2009, ndërsa prej vitit 2015 ka filluar riparcializimi.

Sipas tij, shumica e banorëve të lagjes Petrovë janë pajtuar me këtë vendim.

“Fjala është për një plan rregullues të vitit 2009, ku në vitin 2015 është bërë riparcializimi. Ne në vitin 2020 kemi realizuar hapjen e rrugëve sipas planit në fuqi, por edhe këto punime i kemi zhvilluar pas takimeve të realizuara me banorët, ku në të njëjtën kohë kemi realizuar edhe disa pyetësorë në formë deklarate se a janë të pajtimit për hapjen e rrugëve në pyetësorë mund të vëreni se shumica dërrmuese kanë qenë për hapjen e rrugëve. Tani, jemi në përmbyllje të procesit të Hartës Zonale, e cila ka përfshirë edhe këtë zonë dhe me të jemi munduar me dhënë disa zgjidhje në favor të këtyre banorëve, prej zonës industriale kemi propozuar ZSHP (zone e shërbimeve të përziera), ku jepet e drejta e ndërtimit për banimet e larta”, ka thënë Kizolli për KALLXO.com

Komuna e Prizrenit ka përfunduar procesin e hartimit të Hartës Zonale ndërsa ky dokument komunal tashmë pret aprovimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Ky dokument ka vlefshmëri tetëvjeçare, përkatësisht nga viti 2020 e deri në vitin 2028.