Mërgimtari në gjyq, akuzohet për kanosje ndaj biznesmenit dhe ish-komandantit të FSK-së

Në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës është ulur mërgimtari, me vendbanim në Zvicër, Rifat Canolli, i cili po akuzohet nga Prokuroria për kanosje serioze ndaj biznesmenit Eroll Pushkolli dhe ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati.

Ndërkohë që objekt i këtij shqyrtimi ishte kanosja, palët njëkohësisht ndodhen edhe në kontest civil lidhur me mosmarrëveshjet rreth ndërtimit të një objekti banesor që ishte paraparë të ndërtohej në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Por Eroll Pushkolli, që në këtë shqyrtim ishte ftuar edhe në rolin e dëshmtarit, edhe të palës së dëmtuar, tha se nuk do t’i bashkëngjitet ndjekjes penale kundër Rifat Canollit lidhur me kanosjen.

“E ka nxitë [Rifat Canollin] një palë e tretë ndaj meje. Nuk do t’i bashkangjitem ndjekjes penale” – u shpreh në cilësinë e të dëmtuarit Eroll Pushkolli.

Mbrojtësi i Rifat Canollit, avokati Blerim Cakolli tha se përderisa klienti i tij kishte shkuar në Polici për të lajmëruar kanosjen ndaj tij është dashur të shkojë në prokurori.

“Prokuroria duke qenë [Rifat Canolli] palë e dëmtuar përmes z. Halil Musa me një deklaratë të rrejshme e ka akuzuar të mbrojturin tim” – u shpreh avokati Blerim Cakolli.

Ai më tutje shpjegoi për përmbajtjen e kundërshtimit të ushtruar në emër të Rifat Canollit pas dënimit me gjobë nga Gjykata.

“Të gjitha pretendimet tona kundërshtuese i kemi paraqitur në kundërshtim, ku kemi mbështetur të gjitha dëshmitë gjegjësisht alibitë se në fund të vitit 2019 Rifat Canolli nuk ka qenë fare në Kosovë, për këtë kemi dëshmi biletat e aeroplanit. Me sa më kujtohet ka qenë duke e kryer haxhin për të tretën herë në Arabinë Saudite” – tha më tej mbrojtësi i të pandehurit.

Prokurorja e shtetit në zëvendësim, Rukije Shasivari, e lexoi edhe një herë aktakuzën.

Avokati Blerim Cakolli në fund të fjalës së tij hyrëse u shpreh i bindur se në këtë çështje do të demantohen të gjitha deklaratat kundër klientit të tij dhe i njëjti do të lirohet me aktgjykim lirues.

Rifat Canolli e mbështeti në tërësi fjalën e avokatit të tij.

Tashmë në cilësinë e dëshmitarit, Eroll Pushkolli, tha se Rifat Canolli ka folur në afekt dhe më nuk ndihet i rrezikuar siç është ndjerë më parë.

Ai tha se më parë ishte ndjerë i rrezikuar sepse kanosja nuk ishte kufizuar vetëm me fjalë.

“Rrezikun e kam pa aso kohe sepse prej fjalëve më kanë ardhë te dera e shtëpisë. Ka ardhë edhe Rifati, edhe bashkëshortja. Bashkëshortja e Rifatit më ka ardhë te shtëpia dhe bashkëshortes time i ka thënë se Rifati s’është mirë psiqikisht dhe po frikësohem se do të vijë me ta vra djalin” – shpjegoi më tutje në cilësinë e dëshmitarit Eroll Pushkolli.

Ai tha se kanosjen nuk ia kishte bërë drejtpërdrejt Rifat Canolli atij.

“Këto fjalë m’i ka thënë Halil Musa, nuk i kam dëgju vet” – tregoi biznesmeni.

Dëshmitari tjetër, përkatësisht pronari i agjencisë që kishte ndërmjetësuar për ndërtimin e banesës në parcelën e Rifat Canollit, Halil Musa, tha se fjalët Rifat Canolli ia kishte thënë drejtpërdrejt.

“Është e vërtetë fjalët që janë thënë, Rifati ka qenë temperament. E kam paraqitur kanosjen me qëllim mos me ndodhë, ju kam thënë se duhet me pasë kujdes” – tha ndër të tjera dëshmtari Halil Musa.

Duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit Blerim Cakolli ai tregoi versionin e tij për acarimin e raporteve mes Eroll Pushkollit dhe Rifat Canollit.

“Nga ana e Erollit nuk kam pa diçka të rrezikshme, ka qenë i gatshëm me bisedu, Rifati ka qenë më i tensionuar” – tha Halil Musa.

Dëshmitari Labinot Grajqevci tha se nuk e ka dëgjuar kanosjen apo kërcënimin e pretenduar nga ana e Rifat Canollit.

Gjyqtari i rastit, Artan Sefullahu, mori aktvendim me ç’rast e caktoi seancën e radhës për më 19 janar.

Çka përmban aktakuza?

Në aktakuzën e ngritur nga prokurorja Ajshe Ferati në vitin 2019, Rifat Canolli paraqitet edhe si viktimë, edhe i pandehur.

Aty ishin akuzuar Kadri Kastrati dhe Rifat Canolli. Ndaj të dyve rëndonte pretendimi për kanosje.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, Kadri Kastrati në mars të vitit 2019 kishte kanosur seriozisht Rifat Canollin rreth ndërtimit të një objekti banesor në lagjen “Kalabria” (ish “Emshir”).

Aty thuhet se Kadri Kastrati madje i kishte shkuar në shtëpi Rifat Canollit, i cili nuk kishte qenë prezent, andaj Kadri Kastrati i ishte drejtuar nipit të tij duke i thënë: “Thuj Rifatit se nëse del para gazetarëve dhe flet për mua diçka kam me e zhdukë prej faqes së dheut”.

Aktakuza më tutje përshkruan veprimet që e inkriminojnë të pandehurin e dytë, Rifat Canolli.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në fund të muajit gusht të vitit 2019 i pandehuri ka kanosur seriozisht Kadri Kastratin dhe Eroll Pushkollin po për të njëjtin objekt banesor gjersa ishte duke folur me Halil Musën.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Rifat Canolli ishte shprehur: “Jam kthyer nga Zvicra për ta prish nënshtetësinë e Kosovës, se do t’i vras gjeneralin Kadri Kastrati dhe biznesmenin Eroll Pushkolli, e pastaj do të shkoj t’i dorëzohen Ambasadës së Zvicrës, të cilët do të më dorëzojnë në Zvicër dhe atje nuk do të përgjigjem për veprën që do ta kryej”.

Të dy këto kanosje pretendohet të kenë shkaktuar ankth, frikë e pasiguri te të dëmtuarit.

Vendimi paraprak i Gjykatës

Prokuroria e Prishtinës kishte paraqitur kërkesë për dhënie të urdhërit ndëshkimor me gjobë pa mbajtjen e shqyrtimit.

Gjykata e Prishtinës i kishte gjetur fajtorë dy të pandehurit dhe i kishte gjobitur me nga 300 euro.

Ndryshe nga Kadri Kastrati, Rifat Canolli duke mos u ndjerë fajtor për akuzat kishte paraqitur kundërshtim ndaj dënimit të shqiptuar duke kërkuar kështu vërtetim të gjendjes në seanca të rregullta gjyqësore.