Me veturë zyrtare në market, zyrtarit të qeverisë i jepet vërejtje

Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Selman Nimanaj, ditë më parë është fotografuar duke e vizituar një market, me veturën zyrtare të shtetit.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministri, për të pyetur në lidhje me këtë çështje.

Sipas përgjigjes të MPB-së, Nimanaj, është udhëheqës i Qendrës për Mbajtje së të Huajve, ndërsa e ka me vendim shfrytëzimin e veturës zyrtare për 24 orë.

Në përgjigje thuhet se zyrtari në fjalë ka qenë duke u kthyer nga puna dhe është ndalë në market për të blerë ujë.

“Në bazë të deklaratës së zyrtarit dhe fotove, udhëheqësi i tij ka bërë vërejtje verbale. Nëse ndërkohë kemi fakte shtesë që zyrtari ka qenë së bashku me fëmijët e tij në veturën zyrtare, do të ndërmerren masa disiplinore sipas ligjit për shërbyesit civil”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.