Foto: Komuna e Gjilanit

Më 28 Nëntor ndahet çmimi 'Heroina e Qytetit' për të mbijetuarën e dhunës seksuale në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim Shyhrete Tahiri – Sylejmanin, e cila ditë më parë e dorëzoi kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, si viktimë e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Haziri, pasi shprehu keqardhje për tmerrin që ka përjetuar në luftë, e përgëzoi Tahiri – Sylejmanin për guximin dhe heroizmin e treguar në publik, për zbardhjen pjesës së rëndë dhe të errët që e ka kaluar populli i Kosovës në luftën e fundit.

Kryetari Haziri tha se Shyhrete Tahiri – Sylejmani do ta ketë gjithmonë përkrahjen e qytetarëve të Gjilanit, ndërkaq ka njoftuar se do ta iniciojë vendimin për ndarjen e çmimit “Heroina e Qytetit” më 28 Nëntor të këtij viti.

Ndërsa, Shyhrete Tahiri – Sylejmani e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e ofruar nga ana e tij, sikurse edhe mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe të familjarëve.

Në këtë takim, kreu i Gjilanit ka informuar se do ta iniciojë edhe vendimin për ndarjen e çmimit “Heroina e Qytetit” edhe për tri gratë e dëshmorëve, Hyrije Baftiu, Fatime Ahmeti dhe Mevlide Hyseni.

Shyhrete Tahiri- Sylejmani është gruaja e dytë që del publikisht brenda një viti për ta denoncuar dhunimin nga forcat serbe gjatë luftës pas Vasfije Krasniqi – Goodman.