Shyhrete Tahiri Sylejmani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës. Foto: Kallxo.com

VIDEO - E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës dorëzon kallëzim penal në Prokurori Speciale

Shyhrete Tahiri- Sylejmani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë i ka dhënë fund heshtjes mbi 20 vjeçare dhe ka dalë publikisht për ta denoncuar dhunimin nga forcat serbe.

“Sot jam këtu që ta ndaj me ju dhimbjen që kam në shpirt”, tha Tahiri- Sylejmani gjatë një paraqitjeje para gazetarëve përballë Prokurorisë Speciale ku kishte ardhur për ta dorëzuar një kallëzim penal për rastin e saj.

“Përfaqësoj të gjitha nënat, vëllezërit dhe bijat që kanë vuajtur si unë dhe t’u jap kurajo atyre. Nuk është e lehtë aspak që ta ndash dhimbjen e shpirtit”, tha ajo.

“Jam këtu që të kërkoj drejtësi”, tha Tahiri- Sylejmani.

Foto: Kallxo.com

Ndërsa drejtorja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT), Feride Rushiti, ka akuzuar organet e ndjekjes që gjatë 20 viteve nuk kanë bërë asgjë për t’i trajtuar rastet e dhunimeve gjatë luftës.

“Në periudhën e OKB-së dhe të EULEX-it këto krime kanë mbetur të pandëshkuara”, tha Rushiti.

Shyhrete Tahiri- Sylejmani është gruaja e dytë që del publikisht brenda një viti për ta denoncuar dhunimin nga forcat serbe gjatë luftës.