Panairi ‘Prishtina 2023’. Foto: KALLXO.com.

Mbi 100 botues nga rajoni e diaspora, sot hapet panairi i librit "Prishtina 2024"

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se sot hapet Panairi i 24-t i librit “Prishtina 2024” në të cilin do të marrin pjesë 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

“Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000. Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair ” – thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 05.06.2024 në orën 12:00, ndërsa do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 09.06.2024 në orën 19:00.

Hyrja për vizitorë do të jetë pa pagesë. Me moton “Përgjigjja është libri”, ky edicion është organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe Pallati i Rinisë.
Në Panairin e 24-t të librit do të shënohet 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit dhe 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkës. I ftuari i nderit do të jetë shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots dhe do të bëhet botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, i cili po ashtu është i ftuar i nderit.

“Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë” – vazhdon njoftimi i MKRS-së.