Masat kundër COVID-19, vendimet do të bëhen publike vetëm nga Ministria e Shëndetësisë

Të gjitha vendimet për lirimin e masave dhe veprimtarive ekonomike të parapara për 1 korrik 2020 do të bëhen publike vetëm nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MSh.

“Ndërlidhur me masat për lirimin e veprimtarive ekonomike të parapara për 1 korrik 2020, Ministria e Shëndetësisë informon institucionet dhe publikun e gjerë se informatat zyrtare për masat kundër Covid-19 në nivel vendi lëshohen vetëm nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, thuhet në njoftim.

Apelohet që qytetarët të marrin informacione vetëm nga burimet zyrtare.

“Lusim publikun e gjerë që ta ketë në konsideratë këtë dhe informcionet t’i marr nga burimi zyrtar”, bëhet e ditur tutje.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për  media ka thënë se në raste se ka rritje të numrit të personave të infektuar më COVID-19 do të rikthehen masat e karantinimit.

Vetëm mbrëmë IKShPK ka bërë të ditur se nga testimet e bëra 122 persona kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, dhe 81 të tjerë janë shëruar nga kjo pandemi.

2799 persona rezultojnë të infektuar deri më tani në Kosovë, 1506 prej tyre janë shëruar dhe 50 prej tyre kanë vdekur.