Elbert Krasniqi dhe Arbërie Nagavci

MAPL dhe MAShTI me memorandum për mbështetje financiare të studentëve rom, ashkali dhe egjiptas

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Arsimit kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi, për të ndihmuar financiarisht studentët e komuniteteve ashkali, egjiptian dhe rom, të cilët studiojnë në univeritetet publike në Kosovë.

Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, tha se kjo marrëveshje do të ndikojë në rritjen e nivelit arsimor të këtyre komuniteteve, ndërsa po ashtu theksoi se për informim rreth kësaj mundësie duhet të punohet bashkë me shoqërinë civile, shkollat dhe komunat.

Ndërkaq, Ministrja Nagavci, pasi që theksoi rëndësinë e mbështetjes financiare për studentët e këtyre komuniteteve, përmendi edhe mbështetjen që po jep Ministria për Qendrat mësimore me bazë në shkollë dhe me bazë në komunitet, si dhe bursat që ndahen për nxënësit e shkollave të mesme për komunitetet ashkali, egjiptian dhe rom.

Ministrat Krasniqi e Nagavci u zotuan se si institucione do të punojnë vazhdueshëm për krijimin e mundësive të barabarta në arsim për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij Memorandumi është promovimi i edukimit te këto komunitete, nxitja në zhvillim akademik, krijimi i mundësive që studentët të mos i ndërpresin studimet për shkak të kushteve të vështira materiale, si dhe krijimi i brezave të rinj të mësimdhënësve dhe ligjëruesve nga radhët e komuniteteve.