Lufta në Irak, 20 vjet më vonë

Njëzet vjet pas pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA, efektet e luftës dhe okupimit ende jehojnë nëpër rajon.

Pikërisht 20 vjet më parë, më 20 mars 2003, Shtetet e Bashkuara filluan një pushtim tokësor të Irakut, duke premtuar t’i jepnin fund sundimit të Presidentit Sadam Husein dhe t’ishkatërronin armët e pretenduara të shkatërrimit në masë (WMD) në vendin e pasur me naftë.

Operacionet ajrore kishin filluar një natë më parë, siç njoftoi Presidenti i SHBA George W Bush në një fjalim televiziv: “Në këtë orë, forcat amerikane dhe ato të koalicionit janë në fazat e hershme të operacioneve ushtarake për ta çarmatosur Irakun, për ta çliruar popullin e tij dhe për ta mbrojtur botën nga rreziku i madh”.

Megjithatë, forcat amerikane, të mbështetura kryesisht me trupa nga Mbretëria e Bashkuar, nuk gjetën asnjëherë armë të shkatërrimit në masë.

Dhe megjithëse Sadami u kap, u gjykua dhe u var, Iraku mbetet thellësisht i trazuar nga konflikti, i dëmtuar nga shkatërrimi ekonomik dhe trazirat politike, dhe nën ndikimin e ndikimeve iraniane dhe amerikane.

Me më shumë se 200,000 civilë irakianë dhe 4,500 ushtarë amerikanë të vrarë, si dhe me kaos dhe paqëndrueshmëri që e ka kapluar të gjithë rajonin si rezultat i këtij pushtimi, pyetjet se pse u zhvillua kjo luftë në radhë të parë mbeten të fuqishme.

Çështja që shpiu në luftë

Politikanët dhe ideologët amerikanë filluan t’i vendosnin themelet për pushtimin e Irakut vite përpara se të ndodhte.

Pasi Sadami nisi një pushtim të shtetit fqinj të pasur me naftë, Kuvajtit, në vitin 1990, presidenti amerikan George Bush, babai i Bushit më të ri, deklaroi synimin e tij për ta imponuar “demokracinë liberale” në Irak, duke hapur një portë për politikanët neokonservatorë amerikanë të cilët kërkuan që Sadami të rrëzohet nga pushteti.

Vendimi për t’u futur në luftë u nxit nga shqetësimet e sigurisë të shkaktuara nga sulmet e 11 shtatorit në vitin 2001 dhe të përziera me motive ideologjike për ta liberalizuar dhe demokratizuar Irakun dhe rajonin.

Pushtimi i udhëhequr nga SHBA ishte gjithashtu i lidhur ngushtë me mërgimtarët irakianë në Perëndim, të cilët nxisnin largimin e Sadamit. Megjithatë, në epokën e pasluftës, mërgimtarët me seli në Iran ishin në gjendje të përfitonin dhe ta dominonin politikën irakiane të pasluftës.

Futja nën kontroll e Bagdadit

Forcat amerikane, britanike dhe të tjera të koalicionit e pushtuan Irakun nga Kuvajti më 20 mars të vitit 2003, duke e shtypur shpejt ushtrinë e rregullt irakiane dhe duke e dëbuar Sadamin nga pushteti.

Tri javë më vonë, më 9 prill, trupat amerikane e pushtuan Bagdadin. Së bashku me civilët irakianë, ata rrëzuan një statujë të Sadamit në sheshin Firdos të Bagdadit – një moment historik që u bë simbol i fitores së SHBA-së. 

Më 1 maj, Bush e deklaroi “misionin e kryer” në bordin e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln dhe i përfundoi operacionet e mëdha luftarake në Irak. Paligjshmëria, e cila ishte përhapur shpejt në të gjithë Irakun duke e vënë theksin tek dështimi i trupave amerikane për të vendosur rendin, u hodh poshtë nga zyrtarët e qeverisë amerikane si jo serioze.

Asnjë armë e shkatërrimit në masë

Para fundit të vitit 2003, trupat amerikane e kapën Sadamin, i cili ishte fshehur në një vrimë pranë shtëpisë së tij të fëmijërisë në Tikrit. Ai u gjykua më vonë nga një gjykatë irakiane dhe u ekzekutua për rolin e tij në vrasjet masive dhe krimet kundër njerëzimit.

Data e zgjedhur për ekzekutimin e tij, 30 dhjetor 2006, e cila ndodhi të ishte edhe dita e parë e festës myslimane të Kurban Bajramit, ka qenë e diskutueshme që atëherë.

Menjëherë pas kapjes së Sadamit, administrata e Bush pranoi se argumentet e saj të paraluftës për praninë e rezervave të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore në Irak ishin të pabaza.

Një komision presidencial arriti në përfundimin në vitin 2005 se inteligjenca amerikane mbi Armët e Shkatërrimit në Masë të Irakut ishte plotësisht e mangët dhe “asnjë grimë” e provave nuk kishte aty. Dëshmitë dhe rrëfimet e të larguarve dhe anëtarëve të Kongresit Kombëtar të Irakut u zbuluan përfundimisht se ishin të pavërtetuara.

Faza tranzicionale

Në maj të vitit 2003, kreu i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit, Paul Bremer, shpërndau ushtrinë irakiane dhe shërbimet e inteligjencës dhe e ndaloi Partinë Baath që sundonte prej kohësh të marrë pjesë në procesin e formimit të qeverisë. Vendimi tjetërsoi qindra mijëra burra të trajnuar dhe krijoi një vakum sigurie dhe qeverisjeje në vend që e shkatërroi atë për vite me radhë.

Tranzicioni nga SHBA në sundimin irakian në mesin e viteve 2000 u dëshmua me vrasjen e dhjetëra mijëra irakianëve, fillimin e një kryengritjeje të armatosur të udhëhequr nga Al-Kaeda, shpërthimin e një lufte civile sektare dhe përfundimisht ngritjen e ISIL. (ISIS).

Zgjedhjet, dhuna sektare

Pas rënies së Sadamit, i cili u akuzua për shtypje sektare kundër grupeve shiite dhe kurde të Irakut, Autoriteti i Përkohshëm ishte i preokupuar me krijimin e një ekuilibri etno-sektar në vend.

Ai përdori muhasasa, ose sistemin e kuotave sektare, për ta zgjedhur organin e parë qeverisës të Irakut pas vitit 2003 – Këshillin Drejtues të Irakut (IGC) – dhe për të siguruar përfaqësim proporcional të qeverisë midis grupeve shiite, sunite dhe kurde të vendit.

Ndërkohë që sistemi u dha fuqi politike dhe ekonomike partive që dominuan politikën irakiane pas vitit 2003, një nga sëmundjet kryesore të sistemit muhasasa ishte se i thelloi ndarjet sektare, të cilat vazhdojnë të jehojnë nëpër Irak dhe rajon edhe sot e kësaj dite.

Pavarësisht shpërthimeve të dhunës, irakianët votuan për qeverinë e tyre të parë, me mandat të plotë në vitin 2005, duke i dhënë shumicës shiite kontrollin e parlamentit. Sipas sistemit qeverisës të miratuar pas futjes së një kushtetute të re në vitin 2005, kryeministri ishte një anëtar i shumicës myslimane shiite, kryetari një sunit dhe rolin kryesisht ceremonial të presidentit e mbante një kurd.

Kryeministri i parë, Nouri al-Maliki, i cili dominoi politikën irakiane për vite me radhë, kishte lidhje të ngushta me Teheranin dhe lidhje me milicitë e armatosura. Qeveria e tij ishte në pushtet gjatë një epoke politikash sektare dhe autoritare.

Dështimi i qeverive të njëpasnjëshme për ta arritur një marrëveshje me popullsinë sunite të Irakut dhe prania e institucioneve shtetërore të korruptuara dhe joefektive ishin faktorët kryesorë në rritjen e dhunës sektare në të gjithë vendin. Rebelimet sunite u intensifikuan në Anbar dhe Falluxha, ndërkohë që dhuna nga pasuesit e udhëheqësit fetar shiit Muqtada al-Sadr shënoi rritje në rajonin e jugut irakian.

Disa sugjerojnë se një përgjigje e ashpër e sigurisë në zonat sunite radikalizoi shumë në komunitet, disa prej të cilëve më pas mbështetën ISIL-in. Të tjerë thonë se sunitët nuk mund të pranonin kurrë që të mos dominonin me Irakun siç bënin dikur nën Sadamin.

ISIL-i e forcoi kontrollin e tij pasi tërheqja e trupave amerikane në vitin 2011 la një boshllëk sigurie në rajon. Ai përfundimisht shpalli të ashtuquajturin “kalifat” mbi zona të mëdha të vendit në vitin 2014, përpara se të mposhtej kryesisht në vitin 2017 pas një fushate rraskapitëse ushtarake, duke përfshirë edhe një herë SHBA.

Pasiguria mbizotëron

Në tetor të vitit 2019, lëvizja më e madhe e protestës në Irak pas vitit 2003 e rrëzoi qeverinë dhe detyroi parlamentin ta miratonte një ligj të ri zgjedhor. Forcat e sigurisë dhe grupet paraushtarake vranë më shumë se 600 protestues gjatë kryengritjes dhe kanë vazhduar t’i targetojnë aktivistët që atëherë.

Protestat e paprecedenta, të cilat zgjatën me muaj deri në futjen e kufizimeve të koronavirusit në tetor të vitit 2020, erdhën si përgjigje ndaj shtypjes së mospajtimit nga qeveritë e njëpasnjëshme dhe kontrollit të paraushtarakëve të lidhur me partitë politike që i kanë dekurajuar reformat dhe i kanë rritur rreziqet e konflikteve civile.

Megjithatë, në Irakun e sotëm, qeveria është formuar nga një koalicion që ka marrë më pak se 15 për qind të votave të elektoratit. Për shumë irakianë që iu bashkuan protestave, ajo përfaqëson një aleancë të grupeve politike egoiste dhe fraksioneve të armatosura që i kanë kufizuar liritë civile.

Kjo ka ndikuar në atë që shumë irakenë ta mbështesin liderin shiit al-Sadr, një nacionalist i vetëshpallur irakian, forcat e të cilit janë akuzuar për kryerjen e disa prej akteve të dhunës më të këqijat në luftën civile në Irakun e  pas vitit 2003.

Dhuna midis mbështetësve të tij dhe fraksioneve rivale shiite në gushtin e kaluar i ka lënë 30 të vdekur dhe e e ka bërë të qartë se, pavarësisht nga hapat që Iraku i ka bërë, ky vend mbetet në thelb i paqëndrueshëm, dy dekada pas pushtimit që kishte si qëllim ta sillte një epokë të re./Al Jazeera

Përgatiti: Nuhi Shala