Agjencia e Kosovës për Forenzike, Foto: AKF viti 2017

“Lufta” e MPB-së, për shtatë muaj nuk arrin ta furnizoj me disa pajisje Agjencinë e Forenzikës

Ministria e Punëve të Brendshme më 11 shtator të vitit të kaluar, kishte hapur tender për pajisje mjekësore dhe laboratorike për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

Ky tender ka qenë i paraparë të kushtoj 283 mijë e 800 euro për blerjen e pajisjeve për Agjencinë e Forenzikës, ndërsa është anuluar nën arsyetimin ‘se duke u bazuar në ekzaminimin e ofertave dhe vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ofertuesit janë të papërgjegjshëm teknikisht’.

Në këtë tender kishin aplikuar vetëm dy kompani për të bërë pajisjen me mjete për laboratorët e Agjencisë së Forenzikës.

Në faqen zyrtare të E-Prokurimit ku bëhen publike hapjet e tenderëve, MPB kishte kërkuar që të gjithë operatorët ekonomik të cilët aplikojnë për të fituar tenderin, duhet të plotësonin disa kritere.

“Operatori Ekonomik duhet të ofroj deklaratë me shkrim për garancionin e pajisjeve të cilat duhet të kenë minimumin një vit garancion, deklarata e nënshkruar dhe vulosur origjinal nga OE, pajisjet duhet të mirëmbahen një vit nga OE pas instalimeve pa pagesë por me çmimin e ofertës së furnizimit”, thuhet në njërin nga vendimet e MPB-së për këtë tender.

Madje një tjetër kërkesë e MPB-së për këtë çështje ishte edhe që kompania që fiton tenderin është e obliguar që të ofroj trajnim profesional për stafin e divizioneve të laboratorëve nga personat e certifikuar për përdorimin e pajisjeve që planifikoheshin të bliheshin.

Këto kërkesa erdhën më shumë se një muaj pas publikimit të thirrjes për të aplikuar për tender.

Më 30 tetor të vitit 2020, Ministria e Punëve të Brendshme kishte dërguar për publikim njoftimin për vendimin e tenderit dhe ka njoftuar tenderuesit pjesëmarrës me rezultatet pas aplikimit, sipas të cilave rezultoi se fitues i kontratës ishte kompania “Interlab SHPK” me seli në Gjilan.

Pesë ditë më pas, pra më 4 nëntor 2020, ishte marrë vendim për pezullimin e aktivitetit të prokurimit për tenderin për furnizim dhe montim të pajisjeve në laboratorët e Agjencisë së Forenzikës.

Ky vendim erdhi pasi “zyrtari përgjegjës i Prokurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka pranuar kërkesat për rishqyrtim nga tenderuesit pjesëmarrës”.

Më 11 nëntor 2020 në bazë të një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ishte refuzuar kërkesa për shqyrtim dhe ankesa e parashtruar nga kompania “Cacttus”.

Në të njëjtin vendim thuhet edhe se nga komisioni vlerësues, kishte vlerësuar se kompania “Interlab SHPK” kishte ofertën më të përgjegjshme dhe kishte ofruar çmim më të ulët se sa ka qenë i paraparë.

Udhëheqësi i Divizionit të Prokurimit në MPB kishte rekomanduar që “Interlab SHPK” të shpallej fitues i tenderit për furnizim dhe montim të pajisjeve në laboratorët e Agjencisë së Forenzikës me çmimin e ofertuar prej 242 mijë eurove.

Në këtë vendim janë bërë të ditura edhe ankesat e kompanisë “Cacttus” të cilët ishin ankuar.

Në ankesën e kompanisë pretendohej se ishte shkelur neni 7 i Ligjit për Prokurimin Publik, për barazinë në trajtim, neni 56 i cili parasheh dispozitat e përgjithshme mbi përzgjedhjen e pjesëmarrësve dhe dhënien e kontratave, nenin 59 i cili parasheh ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve si dhe neni 41 i rregullave dhe udhëzuesit operativ të prokurimit.

MPB e kishte vlerësuar se kjo kompani nuk kishte përmbushur kërkesat lidhur me punë të ngjashme të cilat janë kryer më herët nga po e njëjta kompani.

“Ju ‘Cacttus’ keni ofruar një listë të kontratave të realizuara, gjithsej 8 kontrata, prej tyre 6 kontrata janë për ofrim të shërbimeve / mirëmbajtjes e të cilat nuk plotësojnë kërkesat për arsye se kërkesa ka qenë kontrata për furnizim, jo shërbim, ndërsa dy kontrata janë për furnizim”, thuhet në njoftimin e MPB-së për kompaninë e eliminuar.

Më 24 nëntor 2020, Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar sërish për pezullim të aktivitetit të prokurimit.

Kësaj radhe kompania “Cacttus” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Më 11 shkurt të këtij viti Ministria e Punëve të Brendshme kishte publikuar vendimin për ta shpërblyer me kontratë sërish kompaninë që kishte fituar në fillim “Interlab SHPK” në vlerë totale të ofertës prej 242 mijë eurove.

Më 18 shkurt të këtij viti sërish Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur që të pezulloj vendimin për shpërblim me kontratë për kompaninë “Interlab” pasi kishte pranuar edhe një ankesë.

Një ditë më vonë ishte marrë vendim që të vazhdohej afati për vendimin në kërkesën për rishqyrtim.

Më 26 shkurt të po të njëjtit vit, MPB sërish kishte refuzuar kërkesën e kompanisë “Cacttus” për rishqyrtim në lidhje me tenderin për furnizim dhe montim të pajisjeve në laboratorët e Forenzikës.

Edhe në këtë vendim MPB kishte theksuar se: “Në këtë aktivitet prokurimi janë pranuar dy oferta dhe në bazë të dokumentacionit të prezantuar në tenderët e tyre, tenderuesi 2- Cacttus është i papërgjegjshëm në bazë të dokumentacionit të dorëzuar si dhe nuk ka dorëzuar dëshmi të mjaftueshme në pajtueshmëri me kërkesat”.

Më 9 mars, muajit të tretë pra të këtij viti, MPB sërish kishte marrë vendim për pezullim të aktivitetit të prokurimit.

Kjo pasi që kompania “Cactuus” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit duke përmendur se janë shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik.

Disa ditë më pas më saktësisht me datë 20 prill pra të këtij muaji, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që ta anuloj tenderin për furnizim dhe montim të pajisjeve në laboratorët e Forenzikës.

Vendimi i fundit i cili eliminon të dy kompanitë që kishin aplikuar për këtë tender thotë: Për kompaninë “Cacttus”: “Tenderi juaj është refuzuar për arsye të papërgjegjshmërisë dhe se nuk i keni përmbushur kërkesat e vlefshmërisë së tenderit”.

Për kompaninë “Interlab”: “Tenderi juaj është refuzuar për shkak se nuk i keni përmbushur kërkesat e vlefshmërisë së tenderit”.

Pajisjet me të cilat nuk u furnizua Forenzika:

Dy pajisje për të cilat kishte haur tender Ministria e Punëve të Brendshme për Agjencinë e Forenzikës në Kosovë janë, një video spektrale krahasuese (Video Spectral Comparator) i cili konsiderohet si mjet i fundit i laboratorit ku analizohen dokumentet dhe është pajisje që lejon ekzaminimin e ngjyrave, tipareve të fshehura të sigurisë si dhe mundëson të zbuloj nëse është bërë ndonjë ndryshim në ndonjë dokument.

Pajisja e dytë është një kabinet me ngrohje ultravjollcë që përdoret për analiza komografike.