Loja e re e karantinës: Gjykimi i figurave publike nga raftet e librave

Nga klasikja kanonike e dukeshës së Kembrixhit Kate Middelton e deri te koleksioni ekletik i gazetarit Jon Snow, izolimi social ka hapur një dritare për vëzhgim në bibliotekat e të famshmëve.

Britania e Madhe në këtë kohë karantine ka filluar të thyejë monotoninë duke krijuar një lojë të re: futja e hundëve në raftet e njerëzve, shkruan “The Guardian.”

Pasi që në të gjithë botën intervistat, konferencat po realizohen online, kjo ka ndikuar që shumica bashkëbisedimin ta bëjnë duke pasur prapavijë bibliotekën e shtëpisë. Këtë ekspozim të titujve, britanikët dhe mediat e kanë shfrytëzuar për t’i gjykuar figurat publike në bazë të librave që lexojnë. Pjesë e kësaj loje janë bërë figurat e njohura si dukesha Kate Middelton, gazetari Jon Snow, politikanët britanikë Boris Johnson, Nicola Sturgeon dhe Rishi Sunak, princi Charles etj.

Nga këto transmetime janë vërejtur tituj të ndryshëm, dizajnime interesante të bibliotekave apo edhe rafte bosh.

Sipas “The Guardian” nga raftet më interesante të figurave të njohura ishin ai i Kate Middelton me një stil kanonik dhe me një mori librash të autorëve të vjetër britanikë të Jane Austen, George Eliot, Oscar Wilde dhe me shumë tituj të zhanrit thriller. Përpos saj biblioteka e Boris Johnson të zhyt në një stil fabulues aleksandrian me një koleksion librash të vjetër ngjyrë të kuqe e ari. Ndërsa biblioteka e drejtuesit të  lajmeve në Channel 4, Jon Snow përfshin një koleksion me libra muzikorë si “Jeta e Bob Marley” nga Timothy White dhe tituj të librave psikologjik shëndetësor dhe të recetave të gatimit.

Nga transmetimi i politikanes skoceze vërehet që është e pasionuar nga librat sa që edhe karrigen e ka shfrytëzuar si raft librash. Titujt që dominojnë në bibliotekën e saj janë ata të autorëve skocezë.