Lista Serbe: Do të mbështesim formimin e institucioneve

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se nuk janë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në kohë të pandemisë.

“Lidhur me qëndrimin e Listës Serbe, nuk jemi për zgjedhje në kohën e pandemisë,  sepse jemi të gjithë së bashku kundër këtij virusi, dhe duhet të qëndrojmë së bashku. Na presim momente të vështira kur të kalojë kjo situatë, dhe të përballemi me pasojat. Nuk jemi për zgjedhje, do të mbështesim formimin e institucioneve”, tha ai në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi me partitë politike parlamentare.

Duke i reaguar kreut të PDK-së, Kadri Veselit, Rakiq tha se Serbia nuk është armik i askujt.

“Dua të ju rikujtoj që Serbia nuk është armik i askujt, që Serbia e dëshiron bashkëpunimin me të gjithë”, tha ai.

Veseli në fjalën e tij kishte kritikuar Qeverinë për strukturat paralele serbe në veri të vendit dhe imponimet atje nga ana e shtetit të Serbisë për shkak të COVID-19.