Limaj: Po i krijojmë kushtet që ta zhvillojmë sportin (VIDEO)

Fatmir Limaj, kandidat për kryeministër nga koaliconi NISMA-AKR-PD, tha se në Kosovë po krijohen kushtet që sporti të zhvillohet.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentë në debatin e Kongresit e Dytë të të Rinjve, Limaj tha se tash se në fushën e sportit ka një qasje më serioze se në të kaluarën.

“Kemi ardhë në një fazë të avancimit në këtë fushë, plotë talente, djem e vajza në vendin tonë që nuk kanë pasur kushte teknike për të treguar talenti ne tyre. Gati në të gjitha qytetet e Kosovës po krijohen parakushtet e infrastrukturës që janë elementare për sport. Pastaj edhe me ligjin e fundit për sponsorizim për sport, besoj që është një shtyerje në këtë drejtim, është një qasje më ndryshe në fushën e sportit”, deklaroi Limaj.

Ai tha se edhe pse ka pasur kritika për këtë ligj dhe  sipas tij, ligji do t’i ndihmojë shumë bizneseve që i mbajnë klubet e sportit.

Në këtë debat, Limaj foli edhe për të rinjtë dhe studentët. Ai tha se problemi në arsim nuk është vetëm tek ministria apo universiteti, por edhe tek studenti.

“Problemi së pari është të prindi, studenti dhe profesori. Një student që shkon me marrë notën, pa mësu, gjithmonë ka me gjet një profesor. Këtu duhet pak edhe me e shiqu veten. Ju e dini që deri sa aty ju lejohet me kopju, derisa pranoni në maturë me kopju, deri sa përdorni telefon, derisa mundoheni me i kalu të gjitha ato masa, gjithmonë keni me pasë probleme. Unë nuk e kuptoj se si një djal i ri, një vajzë e re shkon në universitet, hargjon paratë e prindit dhe merr një notë të pamerituar”, deklaroi Limaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate tha se shoqëria kosovare duhet të ketë një transformim të gjithëanshëm.

Në Kongresin e Dytë Kombëtar të të Rinjve kanë qenë të ftuar të gjithë kandidatët për kryeministër, mirëpo ftesën e kishin pranuar vetëm kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj.

Pjesë e kongresit kombëtar të të rinjve janë mbi 20 organizata nga gjithë Kosova.