Liderët kroatë festojnë ‘Stuhinë’ e vitit 1995 ndaj rebelëve serbë

Duke shënuar 24-vjetorin e Operacionit Stuhia, kur forcat kroate shkatërruan një shtet të panjohur serb, liderët politikë u mblodhën për festimet tani tradicionale në ish-kryeqytetin rebel të Kninit.

 

Lidershipi politik i Kroacisë u mblodh të hënën në qytetin dalmat të Kninit për të festuar 24 vjetorin e ofensivës ushtarake që shkatërroi një shtet të vogël rebel serb dhe i dha fund luftës së Kroacisë për pavarësi në vitet 1991-1995 nga Jugosllavia.

Programi zyrtar filloi herët në mëngjes në Knin – ish-selia e shtetit të panjohur serb – me një orkestër të ushtrisë që luajti këngë patriotike. Në monumentin kushtuar fitores së Operacionit Stuhia  në sheshin qendror të Kninit u ndezën qirinj dhe u nderuan ushtarët e rënë kroatë. Eventet do të përfundojnë të hënën në mbrëmje me një koncert.

Kryeministri Andrej Plenkoviç në një fjalim në Knin e quajti Operacioni Stuhia “një sipërmarrje thelbësore nëpërmjet së cilës ne siguruam mbijetesën e shtetit kroat dhe integritetin e tij territorial për brezat e ardhshëm”.

“Ne kujtojmë me respekt dhe krenari të gjithë heronjtë kroatë që ranë në fushat e betejës në të gjithë Kroacinë,” shtoi Plenkoviç. Ai vazhdoi duke thënë se nuk do të ndalen përpjekjet për të vendosur drejtësi për viktimat dhe për të sqaruar krimet e luftës.

Presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviç falënderoi të gjithë ata që kishin “mbrojtur atdheun” në luftën që filloi në 1991 dhe përfundoi në verën e 1995.

“Pastaj, 24 vjet më parë, një mesazh i fortë iu dërgua të gjithë botës dhe ai mesazh është se ne kroatët jemi një komb krenar dhe se kemi të drejtën tonë të pamohueshme për të vendosur vetë fatin tonë,” tha Grabar-Kitaroviç.

Gjatë operacionit ushtarak, forcat kroate rifituan pothuajse të gjithë territorin e kontrolluar që nga fundi i vitit 1991 nga serbët rebelë të Kroacisë, të cilët ishin ndihmuar nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë.

Përveç kryerjes së krimeve në shkallë të gjerë kundër kroatëve, autoritetet rebele serbe dëbuan midis 200,000 dhe 250,000 jo-serbë nga shteti i tyre i panjohur, Republika e Krajinës Serbe.

Pasi bisedimet e paqes dështuan, trupat speciale të policisë dhe ushtria kroate u zhvendosën për të shtypur Republikën e Krajinës Serbe midis 4 dhe 7 gushtit 1995, duke rimarrë në të gjithë territorin kroat përveç një pjese të vogël në lindje të vendit që u riintegrua në Kroaci disa vjet më vonë.

Që nga ajo kohë, Kroacia e ka shënuar Ditën e Falënderimit të Fitores dhe Atdheut dhe Ditën e Mbrojtësve Kroatë me një event festiv në Knin çdo 5 gusht.

Atë ditë në vitin 1995, ushtarët kroatë dhe presidenti Franjo Tudjman ngritën flamurin kroat mbi kështjellën në Knin, kryeqyteti i Republikës së Krajinës Serbe.

Ofensiva kroate shkaktoi vrasje në shenjë hakmarrjeje dhe shkaktoi një largim masiv të serbëve Kroatë drejt Serbisë fqinje dhe Bosnjes dhe Hercegovinës.

Komiteti Kroat i Helsinkit ka thënë se 677 civilë u vranë gjatë dhe pas Operacionit Stuhia. Sidoqoftë, gjykatat kroate kanë dënuar vetëm një person për krime lufte.

Ndërkohë, deri në 200,000 civilë serbë u larguan nga Kroacia gjatë dhe pas operacionit.

Serbia mbajti një ceremoni të dielën, pranë manastirit Kruseol në veri të Serbisë, për të vajtuar viktimat e Operacionit Stuhia, ku presidenti Aleksandër Vuçiç këmbënguli se Serbia do të vazhdojë të flasë për viktimat e veta duke respektuar edhe viktimat e tjera.

“Ne nuk do të heshtim, sepse për këtë do të flitet, si për viktimat serbe ashtu edhe për fëmijët tanë, dhe sepse lotët e fëmijëve tanë nuk vlejnë më pak se lotët e të gjithë fëmijëve të tjerë,” tha Vuçiç.

Presidenti njoftoi se vitin e ardhshëm, në 25 vjetorin e Operacionit Stuhia, Serbia do të organizojë tubimin më të madh përkujtimor në Sheshin Republika të Beogradit.

Këshilli Kombëtar Serb, një organ që përfaqëson serbët në Kroaci, përkujtoi viktimat e Operacionit Stuhia të dielën në Donji Lapac, një qytet i vogël me shumicë serbe në Dalmaci, ku folësit i bënë thirrje Kroacisë të përballet me të kaluarën dhe të marrë përgjegjësinë për krimet e luftës të kryera gjatë dhe pas Operacionit Stuhia.

Të dielën në mbrëmje, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qytetin portual të Splitit për një koncert nga këngëtari nacionalist kroat Marko Perkoviç Thompson, duke shënuar Ditën e Falënderimeve për Fitoren dhe Atdheun dhe Ditën e Mbrojtësve Kroatë. Koncerti u mbajt me ftesë të qytetit të Splitit dhe veteranëve të luftës në Split.

Koncertet e Perkoviçit shkaktojnë rregullisht ankesa dhe mediat lokale raportuan se gjatë eventit të ditës së dielë u dëgjua thirrja e sloganit “Za dom spremni” (“Gati për atdhe”) – një parullë e lëvizjes fashiste ustashe e kohës së Luftës së Dytë Botërore në Kroaci. Në koncertin e tij për 20 vjetorin e Operacionit Stuhia në vitin 2015, shumë vetë në publikun prej 80,000 personash gjithashtu brohoritën “Za dom spremni” dhe “Vrit një serb”.