Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK në Kamenicë premton zgjidhjen e ujërave të zeza brenda mandatit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Kamenicës, Jeton Biqkaj ka thënë në Debat Pernime se në rast se votohet për kryetar të kësaj komune, ai do ta zgjidhë problemin me kanalizimet brenda mandatit.

Sipas tij, përmes impiantit për trajtimin e ujërave të zeza do të zgjidhet kjo çështje.

“Shumica e lokaliteteve nuk kanë kanalizime ose shumica derdhen në lumin Krivareka dhe në atë të Hogoshtit dhe të Desivojcës. Ne do ta zgjidhim këtë përmes impianteve, brenda mandatit do ta rregullojmë. Këto projekte nuk kryhen vetëm me buxhetin komunal, por duhet mbështetje”, ka thënë Biqkaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Kamenicës: Albert Sermaxhaj nga Nisma Socialdemokrate; Faton Jakupi nga AAK; Jeton Biqkaj nga LDK; Kadri Rahimaj nga LVV; Muhamed Kallaba nga PDK dhe Qëndron Kastrati nga PSD.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Kamenicës: Diana Kryeziu nga AAK; Donjeta Ismajli LVV; Egzona Isufi LDK; Jona Arifi nga PDK dhe Shqiponjë Morina nga PSD.