LDK i kërkon dorëheqjen Albin Kurtit e pastaj shpërbërje të Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një letre ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

LDK thotë se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë “Rrugën e Re” si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik. Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme”- thuhet në letrën e LDK-së.

Kjo parti ka ritheksuar refuzimin për takimin me kryeministrin Kurti duke thënë se uniteti politik i ofruar nga LDK-ja u refuzua tash e tre vite.

“LDK-ja refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare”- vazhdon letra e Lidhjes Demokratike e Kosovës.

Partia e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku tha se nuk  pranojnë të bëhen pjesë e asnjë marrëveshje prapa dyerve të mbyllura.

“LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur” – thuhet në letrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim të hënën më 13.05.2024 me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se në takimin treorësh me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është diskutuar edhe për çështjen e zgjedhjeve të reja.

Kurti theksoi se për këtë çështje u diskutua pasi, sipas tij, tashmë ka hyrë edhe në vitin e fundit të mandatit.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas Krasniqit gjendja në vend nuk është e mirë dhe se edhe në Kuvend pikat e seancave po barten nga java në javë.

Këtë darkë punë me kryeministrin Kurti e kishin refuzuar kryetarët e LDK-së dhe AAK-së, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj.

Krasniqi pas takimit me Kurtin: Zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme

Abdixhiku refuzon të takohet me Kurtin