Vendosja e shirirt në njërin nga objektet ku janë ndalur punimet, Foto: Komuna Prizren/Facebook

Lansohet kampanja 'Legalizo ndërtimin, mos e humb mundësinë'

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka lansuar sot kampanjën informuese për legalizimin e ndërtimeve pa leje, ku morën pjesë përfaqësues nga komunat e vendit.

Në këtë takim kryetarët dhe drejtorët e komunave u njoftuan mbi procesin e legalizimit dhe procedurave administrative që duhet të ndiqen që nga aplikimi e deri tek legalizimi i objekteve, konform Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje si dhe pesë udhëzimeve administrative që dalin nga ky Ligj.

Me këtë rast Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi,  tha se pas një pune të mirë dhe të gjatë sot po fillojmë fushatën promovuese për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Matoshi po ashtu bëri thirrje që të gjithë ta mbështesin këtë fushatë në tërë Kosovën në mënyrë që të krijohen kushte dhe hapësirë që të legalizohen ndërtimet.

“Të nderuar kryetarë,  MMPH në vazhdimësi është duke ju përkrahur me projekte të ndryshme në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, bashkëpunimi jonë në adresimin e problemeve mjedisore sigurisht që është çelësi i sukseseve të përbashkëta, andaj kërkoj nga ju që të jeni më aktiv dhe të keni prioritet mjedisin dhe trajtimin e ndërtimeve pa leje sepse është koha e fundit që ne të zgjidhim një nga problemet më të mëdha që kemi trashëguar me vite” deklaroi Matoshi.

Përfaqësuesit e MMPH-së bënë të ditur se që nga data 10 shtator do të organizohen 6 punëtori në nivel rajonal për udhëzimin fillestar të komunave lidhur me procesin e legalizimit.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor më 15 korrik ka nxjerrë pesë udhëzime për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Në Kosovë ekzistojnë 352 mijë objekte pa leje të tri kategorive të ndërtimit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se Gjykata e Tenderëve ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit që të anulojë një tender meqë i njëjti i ishte përshtatur një biznesi.

Dyshimet për kurdisje kanë qenë baza e vendimit të OShP-së përmes të cilit e ka obliguar ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të anulojë tenderin për zhvillimin e “Bazës së të dhënave të legalizimit dhe organizimit të trajnimeve dhe zhvillimi i sistemit kombëtar E-Lejet”. Ministria e ka zbatuar vendimin e OShP-së.