Ilustrim

Hapen procedurat e prokurimit për zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka hapur tenderin për zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc.

Vlera e tenderit të hapur në e-prokurim është 32 milionë euro dhe lloji i procedurës është i hapur.

Tenderi në fjalë është i ndarë në 4 lote, të cilat kanë të përcaktuar edhe shumën për to.

Loti 1 kap vlerën 8 milionë e 200 mijë euro, loti 2 kap vlerën 7 milionë e 400 mijë euro, loti 3 kap vlerën 6 milionë 300 mijë euro, ndërsa loti 4 kap vlerën 10 milionë e 100 mijë euro.

Tenderi në fjalë është hapur më 9 mars dhe do të jetë i hapur deri më 18 prill.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se zgjerimi i kësaj rruge do t’i ndihmojë shumë banorët e Dukagjinit.

“Kjo rrugë do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillimin ekonomik të të gjithë zonës së rrafshit të Dukagjinit”- ka shkruar ai në Facebook.

Mbledhjen e kaluar kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i këtij projekti.

Qeveria i hap rrugë shpronësimeve për rrugën Kijevë – Zahaq