Ministria e Mjedisit pagoi 300 mijë euro për projektimin e pastrimit të lumit

Ministria e Mjedisit i ka paguar 299 mijë e 420 euro një kompanie private për hartimin e një projekti për pastrimin e një lumi. Vlera e punëve përgatitore për pastrimin e këtij lumi kishte kushtuar më pak se sa punët e realizuar gjatë pastrimit të lumit.

“Në bazë të projektit, punët përgatitore kanë kosto më të madhe se punët kryesore. Vlera e punëve përgatitore është 360,781 euro, ndërsa punët kryesore 97,637 euro”, thuhet në raportin e grupit të ekspertëve të formuar nga ministri i Mjedisit për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuar nga Ministria.

Ky grup ka thënë se kompania ‘Alb-Architect’ e ka bërë projektin për ‘Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Shtimjanja në seksionet Caralevë – Shtime dhe Mollpolc – Petrovë – Shtime – Vojnovc’, i cili sipas vlerësimit të tyre i kishte 18 faqe dhe për të cilin janë paguar 299 mijë e 420 euro.

Në anën tjetër kompania që e ka hartuar këtë projekt ‘Alb-Architect’ ka thënë se raporti i ministrisë “është punuar në mënyrë të njëanshme, me qasje tendencioze dhe jo profesionale”.

Tutje grupi i ekspertëve ka thënë se në projektin e dorëzuar nuk kanë gjetur detaje për zgjerim të lumit edhe pse në brendi të projektit është titulli “pastrim dhe zgjerim”. Sipas ekspertëve të ministrisë, projekti i dorëzuar nga Alb-Architect si projekt kryesor për të cilin janë paguar nga MMPH 299 mijë e 420 euro, nuk e përmbush asnjë standard të qenit projekt kryesor.

“Projekti i dorëzuar nuk ka detyrë projektuese; Nuk ka përshkrim teknik; Nuk ka llogaritje hidraulike; Ka një paramasë dhe parallogari të përmbledhur në 1 faqe A4 me 4 pozicione, 3 prej të cilave përsëriten 3 herë ( për tri seksione të lumit)”, thuhet në konstatimet e bëra nga grupi i ekspertëve i formuar nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Tutje thuhet se projekti nuk përmban asnjë detaj teknik për pozicione të caktuara të punimeve si dhe përmban 10 harta ortofoto të përpjesës së vogël që sipas ekspertëve “janë krejtësisht të pavlefshme për kryerjen e punimeve”.

Grupi punues ka konstatuar se ka pozicione që nuk janë bërë fare nga kompania, mirëpo ministria e ka paguar koston e tyre.

“Fatura për dokumentin e dorëzuar si projekt kryesore përmban edhe një pozicion për projektimin e një seksioni të kanalizimit në vlerë prej 5 mijë e 46 euro, cili projektim nuk është përfshirë në dokumentin e dorëzuar, që d.m.th. se nuk është kryer nga kompania projektuese”, thuhet në raport. “Sipas asnjë standardi dokumenti i dorzuar nga Alb-Architect në emër të projektit kryesor për pastrimin e lumit nuk mund të ketë kosto prej rreth 300 mijë euro.”

Ky grup i ekspertëve ka thënë se për pastrim të lumit nuk ka nevojë për projekt ekzekutivë.

“Pastrimi i lumit nuk hyn në kategorinë e punëve për të cilat kërkohet hartimi i projektit kryesor – ky aktivitet hyn në kategorinë e mirëmbajtjes së lumit. Zbatimi i matjeve gjeodezike para dhe pas pastrimit të lumit të cilat do t’i kryente kontraktori i punimeve të pastrimit të lumit do të ishin të mjaftueshme për këtë lloj të punimeve”, thuhet në raportin e ekspertëve.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime për pretendimet që janë në raportin e grupit të ekspertëve të ministrisë së Mjedisit. Kompania ‘Alb-Architect’ thotë se nuk janë kontaktuar asnjëherë nga grupi për të dhënë sqarimet e nevojshme dhe se konsideron që raporti është tendenciozë.

Tutje, ‘Alb-Architect’ pretendon se disa anëtarë të këtij grupi punues kanë qenë pjesë të procesit të realizimit të projekteve, në faza të ndryshme, por në atë kohë nuk kanë dhënë vërejtje.

“Në një situatë të tillë, pa dashje kompania ‘Alb-Architecht’ do të detyrohet që përmes insturmenteve ligjore institucionale, të mbrojë imazhin dhe reputacionin e kompanisë”.

Në lidhje me pretendimin e grupit punues se projekti për ‘Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Shtimjanja në seksionet Caralevë – Shtime dhe Mollpolc – Petrovë – Shtime – Vojnovc’, i kishte vetëm 18 faqe, ‘Alb-Architect’, thotë se nuk është e vërtetë.

Sipas tyre, projekti në fjalë është dorëzuar në ministri me 5 kopje të forta dhe në formë elektronike i cili përbëhet nga 5 libra dhe 7 dosje.

Në sqarimet e tyre ata nuk e kanë mohuar pagesën që kanë pranuar nga ministria por thonë se kosto totale e projektit është shumë më e lartë se 97 mijë euro.

“Njoftimi nuk e paraqet koston e projektit të plotë, por duke ndarë që punët përgatitore kanë kosto më të madhe se punët kryesore: vlera e punëve përgatitore 360,781 Euro, ndërsa punët kryesore 97,637 euro, pa e specifikuar se cilat janë ato punë përgatitore dhe pa e potencuar se kontraktimi i punëve- realizimit bëhet me një procedurë të re të tenderimit, që nuk është cmim final”, thuhet në sqarimet e kompanisë. Ata pretendojnë që është paraparë që kosto totale e projektit të jetë mbi 5 milionë euro.

“Projekti parasheh vlerën e tërësishme të investimit për ekzekutimin e këtij projekti me gjatësi të lumit 28.93 km dhe ka kosto 5 milion e 470 mijë e 675 euro. Referenca e çmimit për hartimin e projektit dhe e krahasuar me vlerën e pjesshme për ekzekutimin që Komuna e Shtimes e ka tenderuar në bazë të mundësive buxhetore, është jo etike, jo profesionale dhe manipulative”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Shkeljet e evidentuara në teren

Grupi punues thotë se gjatë daljes në teren për të verifikuar punët që janë kryer, ka gjetur se tek faza e parë e projektit, shtrati i lumit në disa seksione ishte pastruar relativisht mirë.

Sipas tyre, nga komuna ka thënë se pas pastrimit të lumit, nuk ka pasur më përmbytje të tokave buzë shtratit të lumit.

Por grupi ka gjetur se incizimi gjeodezik pas kryerjes së punimeve nuk ishte realizuar, sipas kontratës së nënshkruar.

“Pagesa për zbatimin e punimeve është kryer në tërësi, nga MMPH 180 mijë e 498 euro dhe nga komuna 100 mijë euro”, thuhet në Raport.

Grupi punues ka thënë se faza e dytë që kishte paraparë ndërtimin e 5 urave dhe rregullimi e shtratit të lumit në Shtime, nuk është kompletuar plotësisht në mungesë të mjeteve financiare.

Në teren, grupi ka gjetur se në vend të 5 urave secila në gjatësi 10 metra, janë ndërtuar 6 ura, njëra prej tyre në gjatësi 10 metra dhe 5 të tjera në gjatësi 7 metra secila.

“Shtrati i lumit brenda zonës urbane të Shtimes është rregulluar pjesërisht, vetëm muret e brigjeve të shtratit minor në gjatësi 600 metra. Muret janë betonuar por nuk muratuar me gurë siç është përshkruar në kontratë”.

Me kontratë afati i përfundimit të punimeve ka qenë dhjetori i vitit 2018, ndërsa vlera e pagesave të kryera nga ana e MMPH është 250 mijë e 998 euro.

Në lidhje me këto pretendime të grupit punues, në një përgjigje për KALLXO.com, ‘Alb-Architect’ thotë se ekzekutimi i punimeve është bërë nga operatorë ekonomikë të tjerë, ndërsa inicimi i procedurave është përgjegjësi e autoritetit kontraktues.

“Respektivisht këta operatorë ekonomikë janë të përzgjedhur sipas procedurave të prokurimit dhe të gjitha ndryshimet e parapara në ekzekutim janë bërë në përputhje me kompetencat e personave kompetent në kuadër të ministrisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kompanisë.

Sipas tyre, përgjegjësia është e ministrisë që tenderimin e ekzekutimit të projektit, ta bëjnë sipas ligjit të prokurimit, që parasheh sigurimin e lejeve përkatëse.

‘Alb-Architect’ thotë se ministria ka treguar mosprofesionalizëm dhe pa aftësi në menaxhimin e punëve dhe sipas tyre Raporti i grupit punues është tendencioz dhe qëllim keq ndaj kompanisë dhe kanë paralajmëruar nisjen e procedurave ligjore ndaj ministrisë.