Lajçak thotë se do të shkojë në Uashington me ftesë të partnerëve amerikanë

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar se do të shkojë në SHBA për të diskutuar për hapat e ardhshëm të menjëhershëm për dialogun mes të dyja vendeve.

“Do të shkoj në Uashington DC me ftesë të partnerëve të mi amerikanë. Ne do të kemi diskutime intensive për rrugën përpara dhe hapat e ardhshëm të menjëhershëm”- ka shkruar Lajçak në Facebook.

Lajçak ka treguar për agjendën e tij gjatë javës që e lamë pas, duke theksuar edhe njëherë se duhen menjëherë hapa për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës.

“Në fillim të kësaj jave, i informova kolegët e mi në Bruksel për vizitën time të fundit të përbashkët në rajon, situatën aktuale dhe rrugën përpara. Gjatë vizitës sime në selinë e NATO-s, u takova edhe me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mircea Geoana për të diskutuar situatën në veri të Kosovës”- ka shkruar ai.

“Të dy ramë dakord se duhet të ndërmerren hapa të menjëhershëm për de-përshkallëzimin. Më tej e theksova këtë pikë teksa iu drejtova ambasadorëve të NATO-s dhe BE-së”- ka theksuar ai.

Që nga 29 maji në veri të vendit janë duke u mbajtur protesta për të kundërshtuar kryetarët e rinj të katër komunave veriore, nga komuniteti shqiptar.

SHBA dhe BE kanë kërkuar nga Kosova hapa konkretë për shtendosje të situatës, kanë kërkuar që kryetarët e rinj të mos udhëheqin nga objektet komunale por nga objekte alternative, zgjedhje të reja në këto komuna, si dhe formim të Asociacionit.

SHBA ka përjashtuar Kosovën nga ushtrimi ushtarak Defender 23 pas tensioneve në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkaq ka thënë se duhet të ketë sundim të ligjit edhe në veri dhe largim të bandave kriminale nga ajo pjesë.