Lagjja në Gjakovë – shtëpitë në pronësi të banorëve, oborret në pronësi të Komunës
Nëntë familje në Gjakovë nuk po mund të regjistrojnë në emër të tyre pronat ku i kanë shtëpitë, prona të cilat janë në emër të Komunës së Gjakovës.
Në lagjen e njohur si ‘Blloku i Luftëtarëve’ në Gjakovë në vitet ’60 mbi 15 familjeve shteti në atë kohë ua kishte dhënë në shfrytëzim nga një shtëpi njëkatëshe, kurse në vitet ’90, këtyre familjeve u kishte ardhur mundësia që të blinin shtëpitë dhe t’i kalonin ato në emër të tyre.
Në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua reportazhi për këto prona.
Merita Cana është një banore e kësaj lagje që nuk po mund të kalojë pronën në emër të sajin. Ajo thotë se numrat e parcelave te dy pronarët e tjerë, dyshohet se janë shtuar pas luftës.
“Qysh e kanë zgjidhë këta, as vetë na nuk e dijmë. Kemi kërkuar prej Komunës vazhdimisht, kemi qenë te kryetari disa herë, kadastër, kemi kërkesa në Komunë e kadastër. Asnjë deri më tani, vetëm negative na u ka kthy. Tash së fundmi prej Kadastrit na u ka kthy që lypen dokumente shtesë për me mujtë me zgjidhë çështjen e parcelës. Mirëpo ne kemi dokumente çka ekzistojnë tek ne, ekzistojnë edhe te këta ndërtues që kanë ndërtu” – thotë Cana.
“Sikur që e përmendi edhe ai shoku, në këtë vendim, i njëjti vendim është kur e kemi blerë në ’93-ën shtëpitë. Mirëpo jashtë këtij vendimi tek këta ceket vetëm numri i parcelës, fletëpagesa, ekziston këtu numri i fletëpagesës, vlera e fletëpagesës është kry njejtë si na, sikur këta. Veç numri i parcelës është shtu, që ne dyshojmë se është shtuar pas lufte. Se si është shtuar nuk e dijmë. As nuk janë vulat e njëjta në asnjë vendim, në katër vendimet që e kanë zgjidhur çështjen, vulat e njëjta nuk janë. Kështu që dyshojmë se janë shtu këto vula” – shton ajo.
KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me dy pronarët që kanë arritur të kalojnë pronat në emër të tyre, Hasan Kerraxhija dhe Agim Pula.
Hasan Kerraxhija ka refuzuar që të deklarohet në lidhje me këtë çështje, ndërsa nuk ka pranuar as të takohet, me arsyetimin se është “pa qejf”.
Pasi Kerraxhija ka refuzuar të deklarohet për çështjen, KALLXO.com ka kontaktuar edhe pronarin tjetër, Agim Pula. Përmes telefonit ai ka thënë se oborrin e ka blerë në vitet ’93 – ’94 dhe sipas tij, edhe banorët e tjerë në atë kohë kanë pasur mundësinë t’i blejnë pronat.
“Nuk mundemi me u taku sepse kjo ka ndodhur para luftës, po këta banorët nuk kanë pasë tregu interesim se kur janë shitur banesat që ka qenë, kur janë shitiur pronat , banesat e shtetit, në atë kohë janë blerë edhe këto shtëpitë me gjithë oborre, kështu që unë e kam shfrytëzu rastin. Këta kanë qenë të informuar, por kanë thonë jo qysh shitet oborri pa shtëpi, është problemi i atyre, nuk është problem i imi. Unë e kam zgjidhur atë problem, edhe nuk kam qejf me e diskutu këtë punë. Ata janë të njoftun krejt, nuk e di pse kanë me u anku qysh, çka e tek. Qikaq zotni, edhe tu kisha lutë mos me më thirrë më për këtë çështje” – ka thënë Pula përmes telefonit.
Gjurmimi në dosjen e çështjes së pronave në Gjakovë na ka dërguar edhe një herë në zyrat e Kadastrit.
Prona e njërit prej këtyre personave ishte regjistruar në emër të pronarit në vitin 2020 me vendim të Komunës.
Vendimi mban emrin e ish-drejtoreshës së Kadastrit, Afërdita Lamës.
Përmes telefonit Lama ka thënë se nuk e ka nënshkruar atë vendim, pasi, sipas saj, në atë kohë ka qenë në pushim dhe vendimin e ka nënshkruar udhëheqësi i sektorit të Kadastrit, Arbër Jusufi.
Për ta sqaruar situatën, ekipi i KALLXO.com ka trokitur edhe në derën e Arbër Jusufit. Ai pretendon se i gjithë procesi ishte i ligjshëm dhe pa asnjë problem.
“Familjen Pula, pasi që kjo është regjistruar më herët. Është një vendim dhe e kemi një protokoll që e kam gjetur në arkiv, në vitin 1994 është e regjistruar. Po e ka komplet, e ka me certifikatë të pronës, me kopje të planit me të gjitha” – tha ai.
“Për familjen Kerraxhija e kemi një vendim të Kadastrit i cili është marrë në vitin 2001, ku e njeh të drejtën e ndërrimit të titullarit prej Komunës së Gjakovës në emër të Hasan Kerraxhisë, ku në bazë të këtyre dokumenteve pala ka marrë edhe leje të ndërtimit, ka ndërtuar shtëpi, i ka regjistru në Kadastër e të gjitha. Mirëpo, pas konstatimit nga ana e palës të një gabimi teknik apo si ta quajmë, e ka bo kërkesën për përmirësim, pasi që me vendimin e vitit 2001 iu ka njohur e drejta për posedim. Dhe ne në vitin 2020 vetëm e kemi zbatuar vendimin e vitit 2001, i cili është marrë nga ana e Kadastrit dhe gjendet në arkivën tonë” – ka thënë Jusufi.