Foto: Hajrulla Çeku/Facebook

'La Traviata' - Dashuria e pamundur parisiene në sallën e improvizuar të Prishtinës

Shfaqja operistike “La Traviata” e Juiseppe Verdit, historia tragjike e dashurisë së pamundur mes Violetës dhe Alfredos, u shfaq në skenën e improvizuar të sallës “1 Tetori” në Prishtinë, para publikut që kishte mbushur të gjitha ulëset.

Ngjyrat dominuese të skenës në stilin e jetës franceze, me karriget, tavolinën e divanin ishin të përshtatura me kostumet e personazheve që sa vinin e sillnin emocione, ndërroheshin dhe ktheheshin duke shënuar hyrje me ngjarje të reja tronditëse për të arritur natyralitetin e akteve skenike.

Kjo është opera e parë e shfaqur tash e gjashtë vjet në Kosovë, në një skenë të improvizuar në sallën e sportit “1 Tetori”, për shkak të mungesës së sallës operistike.

Foto: Hajrulla Çeku/Facebook

Në rrethana të tilla është realizuar bashkëpunimi i Operës së Kosovës me Operën e Stara Zagorës së Bullgarisë, Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë me Filarmoninë së Kosovës, me qëllim sjelljen e natës së magjishme në Prishtinë.

Por kjo histori për tre orë rresht nuk mund të përçohej pa protagonistët e operës “La Traviata”, ku rolin kryesor të (Violetta Valery) e interpretoi Besa Llugiqi ndërkaq rolin e protagonistit (Alfredo Germont) e interpretoi Emanuele D’Aguanno, si dhe në rolet e tjera ishin Gëzim Myshketa (Giorgio Germont), Fitore Gjonbalaj (Flora Bervoix), Kaltrina Miftari (Annina), Urta Haziraj (Annina), Denis Skura (Gastone), Shaban Behramaj (Baroni Douphol), Dragan Ampov (Marchese D’ Obigny), Harris Bajraktari (Doktor Grenvil), Rizah Jahaj (Giuseppe, shërbëtori i Violetës), Jon Kosumi (Shërbëtori i Florës), Arbër Maliqi (Komisioneri) dhe Etrit Nura (Komisioneri).

Shfaqja e vuri në pah ndikimin e klasës së lartë shoqërore në pamundësimin e arritjes së dashurisë së Afredos ndaj Violetës, e cila mohoi dashurinë duke shënuar fundin e tragjedisë së operës.

Kuptimi i shfaqjes u rrit më shumë pëmes përkthimit të gjuhës së solistëve nga dy ekranet që përkonin me aktet në skenë.

Harmonia e dy palëve, orkestrës dhe trupës artistike nuk mund të organizohej, as kontrollohej pa lëvizjet e mirorkestrura të udhëheqjes të shfaqjes, dirigjentit bullgar Naydon Todorov, që sipas tij opera do të mbahet mend jo pse ishte e para në Kosovë pas gjashtë vjetësh, por sepse ishte e mrekullueshme.

Foto: Hajrulla Çeku/Facebook

“E imagjinuam këtë natë se si do të jetë në perspektiven e të tjerëve si eksperiencë të mrekullueshme, unë kam dirigjuar “La Traviata” njëqind herë, por kjo shfaqje ishte shumë e veçantë për mua dhe mendoj që ishte për të gjithë këtu. Mund të ndjeja gjithë entuziazmin nga orkestra dhe solistët e mrekullueshëm. Mendoj që ky rast ishte shumë e veçantë që njerëzit do ta mbajnë mend jo pse ishte e para por sepse ishte shumë e mirë”- tha ai.

Dirigjenti Todorov bëri të kuptohet se është habitur për këtë realizim operistik në Kosovë edhe pse më parë ka dirigjuar të njejtën.

“Unë do të doja çdo herë kur njerëzit fillojnë diçka të re, të jetë aq mirë sa ka qenë kjo “Traviata” këtu, nuk kam parë diçka që nuk ishte e mrekullueshme. Kjo orkestër ishte aq e entuziazmuar për të bërë gjithçka mirë, secili prej solistëve ishte i veçantë. Jam habitur që është e mundur të kemi një performancë kaq të mrekullueshme këtu. Në të kaluarën kam punuar me opera të tjera, këtu është hera e parë ishte aq e mrekullueshme sa të gjithë duhet të krenohemi” – theksoi ai për KALLXO.com.

Por edhe nga sopranoja Besa Llugiqi që kishte rolin e protagonistes Violeta, bëri të ditur që maksimumi i arritur në operë nuk do të ishte i mundur nëse secili prej tyre nuk do të sakrifikohej për të dhënë më të mirën.

“Nëse me të vërtetë punohet fort, organizohet mirë, atëherë ia dalim. Mbi të gjitha, në këtë projekt ka pasur shumë pasion, entuziazëm dhe secili është sakrifikuar në mënyrën e vetë për të dhënë maksimumin. Kjo ka qenë vulë për të vazhduar akoma më tutje” – theksoi ajo.

Ajo theksoi se mungesa e institucionit të operës po sjell vështirësi.

“Rolin e Violetes e kam bërë me dhjetëra herë por lirisht mund të them që si kjo që më dha publiku në Kosovë normalisht asnjëherë nuk e kam përjetuar askund tjetër. Opera si institucion veç është i hapur dhe po krijohen mundësi të reja për të gjithë artistët që do të vinë pas dhe janë duke punuar fort në këtë drejtim. Duhet shumë forcë e përkushtim është e vështirë për shkak të institucionit që nuk e kemi, po flas për shtëpinë e operës kjo e ka bërë ndoshta më të vështirë gjithë procesin, megjithatë nuk është e pamundur. Kjo u tregua edhe sot” – bëri të ditur Llugiqi.

Foto: Hajrulla Çeku/Facebook

Po të njëjtën mungesë të shtëpisë së operës në Kosovë e përmendi edhe regjisori i shfaqjes Ognian Draganoff, që sipas tij duhet njerëz entuziastë për ta ndërtuar atë.

“Në radhë të parë dua të them se jam shumë i gëzuar që kam ardhur për tu bërë pjesë e kësaj shfaqje, kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Kosovën, natyrisht për juve është shumë e rëndësishme por për operën është shumë e rëndësishme të ketë shtëpinë e saj, dhe njerëz të entuziazmuar të cilët e bëjnë operën” – pohoi Draganoff për KALLXO.com.

Adrian Berisha, pjesë e stafit organizativ të shfaqjes së operës, “La Traviata”, tha se organizmi i një shfaqje operistike në një sallë sporti është “mëkat”, por ekipi organizativ ka bërë një punë të mirë për të krijuar mundësitë që publikut të shoh performacën.

“Është mëkat që tash në 2022 një institucion si Opera Kosovës, Filarmonia apo institucione të tilla të realizojnë projekte, shfaqje apo koncerte në një sallë sporti dhe nga ky mëkat shpresojmë të mësojë të gjithë e sidomos lidershipi që të ardhme e afërm Opera duhet të ketë shtëpinë e saj”- tha Berisha.

Ndërsa pianisti Agron Shujaku tregoi se opera “La Traviata” ishte një format tjetër nga ato që kemi parë tek ne, bazuar në kushtet që është dhënë premiera.

“Pamë se ishte një organizimi shumë i mirë duke marrë parasysh kushtet në të cilat u dha kjo premierë, interpretimi i solistëve dhe instrumentistët dhe mënyra e realizimit të skenës ishte fantastike, kjo tregoi se ne kemi potenciale dhe këta artistë do të jenë shtylla e ardhshme e ndërtimit të stafit solistik të Operës së Kosovës” – theksoi Shujaku.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shfaqjen operistike e ka konsideruar mbylljen më të bukur të vitit.

“S’kishte si të mbyllej më bukur ky vit i kulturës se me “La Traviatan” e Verdit, produksion i Operës së Kosovës, i një përmase të paprecedentë në historinë skenike të vendit tonë” – ka shkruar Çeku në Facebook.

Foto: Hajrulla Çeku/Facebook

Opera “La Traviata” do të shfaqet edhe të shtunën me 17 dhjetor, në Sallën e Sporteve “1 Tetori”, duke filluar nga ora 19:00.

Shfaqja kësaj opere në Kosovë erdhi 6 vjet pas shfaqjes së fundit nga opera “Kënga e dashurisë triumfuese” e Paolo Colettas që ishte shfaqur më 30 maj 2016 në Gjakovë.

Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se puna për realizimin e shfaqjes “La Traviata” ka nisur në shtator të këtij viti, me hapjen e audicioneve për kor, orkestër dhe solistë.

“Roli i Operës shtetërore ‘Stara Zagora’ Bullgari, vjen si produksion i gatshëm me skenografinë, kostumet, dirigjentin, regjisorin, dhjete instrumentistë harkorë dhe ekipin përcjellës teknik të zërit, ndriçimit, rrobaqepës, grimerë, etj., ndërsa TKOB i Shqipërisë vjen me 14 instrumentistë dhe një solist vokal”- ka treguar Ferizi.

Opera e Kosovës është themeluar më 2 gusht 2021 nga Kuvendi i Kosovës, 15 vjet pas miratimit të Ligjit për Operën.