Pas gjashtë vjetësh, të enjten shfaqet një operë në Kosovë

Opera e Kosovës do të shfaq të enjten dhe të shtunën (15 dhe 17 dhjetor 2022) premierën e operës “La Traviata” të Xhyzepe Verdit (Giuseppe Verdi).

Opera “La Traviata” do të shfaqet në Sallën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.

Shfaqja e kësaj opere vjen 6 vjet kur për herë të fundit në Kosovës u dha një shfaqje operistike. Opera “Kënga e dashurisë triumfuese” nga Paolo Coletta është shfaqur më 30 maj 2016 në Gjakovë.

“La Traviata” është produksioni i parë i Operës së Kosovës që nga themelimi i saj vitin e kaluar. Opera “La traviata” rrëfen historinë tragjike të Violetës dhe Alfredos.

Meriton Ferizi. Foto: MF.

Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës tha për KALLXO.com se puna për realizimin e  shfaqjes “La Traviata” ka nisur në shtator të këtij viti, me hapjen e audicioneve për kor, orkestër dhe solistë.

Ferizi tha se opera “La Traviata” është përgatitur në bashkëpunim me Operën Shtetërore të “Stara Zagorës” (Bullgari), Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë (Shqipëri) dhe Filharmonisë së Kosovës.

“Roli i Operës shtetërore ‘Stara Zagora’ Bullgari, vjen si produksion i gatshëm me skenografinë, kostumet, dirigjentin, regjisorin, dhjete instrumentistë harkor dhe ekipin përcjellës teknik të zërit, ndriçimit, rrobaqepës, grimerë, etj., ndërsa TKOB i Shqipërisë vjen me 14 instrumentistë dhe 1 solist vokal”- thotë Ferizi.

Ai tha se nuk është planifikuar shfaqja e “La Traviata”- pas 17 dhjetorit (2022).

“Njëherë nuk ka plan për repriza të kësaj shfaqjeje, por të përgatitjes së shfaqjeve të reja dhe shfaqjeve të përbashkëta e produksioneve mysafire të ndryshme”- ka thënë Ferizi.

Ferizi thotë se shpenzimet për realizimin e kësaj shfaqje mbulohen nga Ministria e Kulturës, Ambasada Italiane dhe sponsorët e vullnetarët e ndryshëm.

Rolet kryesore në shfaqjen “La Traviata” do të interpretohen nga: Besa Llugiqi (Violetta Valéry), Emanuele D’Aguanno (Alfredo Germont), Gëzim Myshketa (Giorgio Germont).

Pjesë e kësaj shfaqje janë edhe këngëtarët: Fitore Gjonbalaj (Flora Bervoix), Kaltrina Miftari dhe Urta Haziraj  (Annina), Denis Skura  (Gastone), Rizah Jahaj (Giuseppe), Shaban Behramaj (Barone Douphol), Dragan Ampov (Marchese), Harris Bajraktari (Doctor Grenvil), Arber Maliqi dhe Etrit Nura (Commissionner), Jon Kosumi (Flora’s servant)

Dirigjent i shfaqjes është Nayden Todorov, regjia nga Ognian Draganoff, ndërsa skenografia dhe kostumografia nga Boyan Stoynov.

Opera e Kosovës është themeluar më 02.08.2021 nga Kuvendi i Kosovës, 15 vjet pas miratimit të Ligjit për Operën.