Kuvendi mohon se deputetëve të Listës Serbe do t'u mbaronte mandati nëse s'do të ishin sot në seancë

Kuvendi i Kosovës ka dalë me një sqarim pas pretendimeve të deputetit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, se seanca e sotme u mbajt në një sallë alternative vetëm që “deputetët e Listës Serbe të mos i humbin mandatet”.

“Në memoaret e historisë së parlamentarizmit tonë do të mbahet mend që dy herë kjo sallë është shfrytëzuar për të mbajtur seancë plenare. Rasti i parë është për gazin lotsjellës dhe rasti i dytë është për t’ia vazhduar Listës Serbe mandatet sepse rrezikonin që t’i humbnin mandatet”- ka deklaruar Selmanaj.

Ndërkohë, Kuvendi ka sqaruar se seanca është caktuar nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e datës 24.06.2024, bazuar në vëllimin e materialit për shqyrtim.

Asnjë deputeti, përfshirë deputetët nga radhët e Listës serbe, siç thuhet në sqarimin e Kuvendit, nuk  do t’u humbiste mandati në rast të mos mbajtjes së seancës së sotme.

“Deputetët nga radhët e Listës serbe herën e fundit ishin evidentuar si pjesëmarrës në seancë më 8 shkurt 2024. Rrjedhimisht të njëjtëve, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, nuk do t’iu mbaronin mandatet deri në fillim të muajit gusht”- thuhet në komunikatë.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se punimet për vendosjen e pajisjeve të reja në sallën e seancave pritet të përfundojnë gjatë pushimit midis dy sesioneve dhe për rrjedhojë, deri në përfundim të sesionit pranveror, seancat e Kuvendit do të mbahen në sallën 506.

Në fund të muajit maj të këtij viti ishte paralajmëruar se do bëheshin disa ndërhyrjeve teknike në sallën ku mbahen seancat parlamentare. Siç ishte bërë e ditur pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, brenda këtij institucioni do të punohej në teknikën e votimit dhe në mikrofona.

Në anën tjetër, edhe herëve tjera, deputetët serbë janë paraqitur në seancë pikërisht në kohën kur u është afruar  gjashtëmujori i mospjesëmarrjes në Kuvend, meqë sipas nenit 70 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht.

Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në nëntor të 2022-tës.

Vitin e kaluar KALLXO.com pati raportuar se se pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht njëjtë si deputetëve të tjerë.

Dhjetë deputetët paraprak të Listës Serbe (LS) kishin zyrtarizuar dorëheqjet e tyre nga mandati i deputetit në Kuvendin e Kosovës, në fillim të nëntorit të 2022-tës.

Deputetët që patën dorëzuardorëheqjen ishin: Slavko Simiq, Adem Hoxha, Igor Simiq, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviq, Verica Ceraniq, Branislav Nikoliq, Milosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Dediq dhe Dragana Antonijeviq.

Kjo dorëheqje erdhi pas një takimi në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, pati njoftuar për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq kishte thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

125 mijë euro paga për 10 deputetët serbë që shkuan veç një ditë në Kuvend