Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton marrëveshjen për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren - Tetovë

Më 82 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen e bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren.

Në seancën e mbajtur sot më 23.05.2024, gjatë votimit të kësaj marrëveshje të pranishëm ishin 93 deputetët.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në votim.

Kuvendi ka miratuar edhe amendamentin nr.1 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2020” më 89 vota për.

Në seancën e mbajtur më 16.05.2024, kjo marrëveshje për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren u shty më me kërkesë të LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kërkoj që e njëjta të shtyhet që të marrin sqarime shtesë nga ministri Liburn Aliu.

Më 13 gusht 2023, kryeministri Albin Kurti përmes një videoje të publikuar në Facebook ka thënë se bashkë me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë diskutuar edhe për rrugën Prizren-Tetovë.

Sipas tij, në bazë të parallogaritjeve, kostoja e këtij projekti infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro.

“Prej tyre afër 150 milionë euro janë për tunelin 6.4 kilometërsh përmes malit të Korfit (Vërtopit), e që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai i Kalimashit. Ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që do të lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme sa për aktualitetin e qytetarëve, aq edhe për potencialin ekonomik e turistik”- ka shkruar ai.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo maqedonase nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.

Plani për ndërtimin e tunelit Tetovë- Prizren shkakton debat të nxehtë mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së