Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi kryen 50 teste të coronavirusit për deputetë dhe zyrtarë të administratës

50 teste për COVID-19 janë bërë për deputetë dhe zyrtarë të administratës së Kuvendit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për KALLXO.com, Drejtoria për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Kuvendit të Kosovës.

“Ju konfirmojmë se janë bërë 50 teste për deputetë dhe zyrtarë të administratës së Kuvendit. Aktualisht jemi në pritje të rezultateve”, thuhet në përgjigje.

Testimi i stafit të Kuvendit ka ardhur pasi Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi kanë rezultuar pozitiv me coronavirus.

Dy ditë më parë, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi e ka konfirmuar për KALLXO.com se i kanë kërkuar IKShPK-së të shqyrtojë mundësinë për testimin e stafit të legjislativit për coronavirus.

Sekretari ka bërë të ditur se vet ai është në izolim pasi ka dalë pozitiv me coronavirus.

Heqja e masave të izolimit dhe mosrespektimi i rekomandimeve shëndetësore të institucioneve përkatëse, nga ana e  qytetarëve ka bërë që të rritet numri i rasteve të konfirmuara si edhe të hospitalizuarve me COVID-19 në Kosovë.

Përhapjes së coronavirusit nuk i kanë shpëtuar as institucionet e vendit, përfshirë Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në Kosovë me coronavirus janë infektuar 2,878 persona, janë shëruar 1,577 dhe kanë vdekur 51 pacientë.

Kuvendi i kërkon IKShPK-së testimin e stafit për COVID-19