Foto: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi e miraton propozimin e Qeverisë për ndryshim të deficitit buxhetor

Me 59 vota për 41 kundër dhe 1 abstenim, në Kuvendin e Kosovës ka kaluar propozimi i Qeverisë për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.

Propozim-vendimi i Qeverisë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor ka marrë mbështjen e partive në pushtet, përderisa Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja e kanë kundërshtuar këtë vendim.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit tha se vota e deputetëve është vendimtare për implementimin e pakos mergjente fiskale dhe për rimëkëmbje ekonomike për shkak të pandemisë.

Pas votimit të kësaj pike, Kuvendi ka shkuar në pauzë një orëshe.

Pas një ore seanca do të udhëhiqet nga nënkryetarja Arbërie Nagavci, me autorizim të kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani.