Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Kuvendi debaton për ndryshim të deficitit buxhetor të propozuar nga qeveria, opozita e kundërshton

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 02/03 datë 05.06.2020, për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.

Propozim-vendimi i qeverisë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor ka marrë mbështjen e partive në pozitë, përderisa Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja po e kundërshtojnë atë.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në seancën e sotme të Kuvendit tha se vota e deputetëve është vendimtare për implementimin e pakos mergjente fiskale dhe për rimëkëmbje ekonomike për shkak të pandemisë.

“Nëse doni me u impelmentu pakoja emergjente, na lejoni që të bëhet tejkalimi i kësaj rregullore. Arsyeja është se nuk po kemi mundësi të bëjmë rishikim pa bërë këtë tejkalim të deficitit”, tha ministrja.

Kurse, Hekuran Murati nga LVV-ja si dhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, tha se nuk e mbështesin këtë propozim.

“Jemi kundër që të miratohet kjo kërkesë, për shkak se ka hapësirë për abuzim me 250 milionë euro dhe është në kundërshtim me kërkesat i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, theksoi ai.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së Shkëlzen Hajdini tha se e mbështesin propozimin e qeverisë, për tu dalë në ndihmë bizneseve.

“Në mënyrë që vendit t’i mundësohet, ti ofrohet vendit rimkëmbje ekonomike, sektorit privat t’i ofrohet mbështetje”, tha deputeti.

Kurse, Bedri Hamza nga PDK-ja tha se nuk mund ta përkrahin këtë vendim edhe për shkak të respektimit të procedurave ligjore.

“Nuk do të bëhemi pjesë e shkeljeve ligjore”, tha Hamza.

Gazmend Abrashi nga AAK-ja deklaroi se nuk i kupton deputetët e Lëvizjes Vetëvedosje, që një moment që e kanë propozuar, të njëjtit nuk e përkrahin.

“Ju ftoj t’i tejkalojmë fërkimet dhe pengesat politike dhe t’i kthehemi qytetarit”, tha ai.

Nga grupi parlamenetar Nisma-AKR, deputeti Endrit Shala tha se i japin përkrahje vendimit në fjalë të qeverisë dhe do të votojnë për.